Nga Liridon Mulaj
Ja ashtu siç e lexuat, unë jam nje parazit i diplomuar i cili parazitoj çdo ditë dyerve të punëdhenësve, për një vend pune. Jam i varfër, biri i një pastruesje dhe i një roje pa dinjitet mes shoqërisë. Kam dy vite me nje palë atlete të cilat më janë kthyer në simbol të sakrificēs , teksa bredh rrugëve të Tiranës me gazetë në dorë dhe nga lodhja ul kokën duke numëruar hapat në asfalt. Qetësinë e gjej tek librat, tek historitë , ngjarjet, rrëfimet sepse si ëndërrimtar i lindur e përfshij veten në situata dhe shpesh më merr rrjedha.
Une jam demode!
Nuk kam rroba firmato, as makinë luksoze por as nuk jam kundër atyre që i kanë , në çfarëdo lloj mënyre që mund t’i kenë blerë. Jam ai tipi pa lidhje që nuk ndjehet kur ecën rrugës, nuk bie në sy. Eci kryeulur gjithmonë, sepse mendoj që çdo njeri , e sheh brenda mejes që jam dështak.
Fundjavat e mia gjithmonë i kaloj në tarracën e pallatit me një shishe në dorë, raki fshati ose ndonjë birrë familjare, dhe disa cigare të hapura. Ndryshe nga moshatarët e mij që një shishe ndoshta mund t’u kushtojē sa një rrogë mujore e babait dhe mamasë , marrë së bashku.
Po prapë nuk i kam zili, jetët i kemi të ndara dhe si rrjedhojë i jetojmë ndryshe. Unë fle në një divan në kuzhinën e shpisë 1+1 ku jetoj. Jam i vetmuar, i mërzitur, nuk po gjej punë dhe…diplomës çdo ditë e më tepër po i pi ujin në plot kuptimin e fjalës, po pij djersët që nga balli më përfundojnë në faqe në buzë. Nuk e kam inatin me botën, as me qeveritarët, me askënd. E kam veten time, që edhe pse kisha mundësi të shisja drogë, zgjodha të lexoj. Pata mundësi të bëhesha vegël e kriminelve por zgjodha të studioj. Prindërit e mi kishin vuajtur gjithmonë dhe isha i sigurtë që këtë nuk mund ta përballonin, një djalë kriminel. Do ishte për nënën një turp edhe më i madh se pastrimi i tualeteve, ose për babain , bërtitjet e sharjet e pronarit kur e gjente ulur në karrige.
Unë jam një i dënuar!
I dënuar nga fati të jem kurban i një sistemi jo të drejtë. Ku respekti paguhet me para , ku një diplomë e një djaloshi të vetmuar si unë nui vlen as sa letrat e bythes së një pasaniku.
Ky jam unë!
Mos bëni sikur s ‘më njihni. Më keni kudo në përditshmërinë tuaj. Jam ai kamarieri që ju shërben kafen çdo ditë. Jam lavazhieri që u lan makinën kur mbytet në pluhur. Jam portieri që ju mban valixhet në hyrje të hotelit për një bakshish. E nësë doni të më njihni më mirë, shikoni djersët që më rrjedhin çurkë. Aty do kuptoni që s’jam asgjë tjetër , veçse një kurban i këtij sistemi të padrejtë, e që ato djersë janë uji që i pij diplomēs sime të pavlerë , për një rrogë që s’shkon më shumë sesa çmimi i dy librave në fakultet.
*Amerikanët duke kërkuar një vend pune në krizën e madhe ekonomike që mbërtheu Amerikën në vitet 1930. ( Depresioni i madh).
/Fotografitë që kanë bërë historinë/