Ukraina ka kërkuar që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqi i Kuq të lejohen të hetojnë vdekjen e më shumë se 50 të burgosurve ukrainas të luftës në një sulm në territorin e pushtuar, sipas BBC.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmin në burg. Ende mbetet e paqartë se çfarë ndodhi në kampin e burgut në Olenivka, i cili kontrollohet nga Republika Popullore separatiste e Donetskut e mbështetur nga Rusia.
Ukraina thotë se vendi ishte në shënjestër të Rusisë në një përpjekje për të shkatërruar provat e torturës dhe vrasjeve. Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi incidentin si një “krim lufte të qëllimshëm rus”.
Nga ana e saj, Rusia tha se kampi u godit nga raketa precize ukrainase. Të burgosurit thuhet se janë anëtarë të batalionit Azov, të cilët u kapën duke mbrojtur qytetin jugor të Mariupolit në maj dhe të cilët Rusia ka kërkuar t’i cilësojë si neonazistë dhe kriminelë lufte.