Horgito Peqini, 18-vjeçari i vënë në pranga për vrasjen e Madrit Ulqinakut është shfaqur i qeshur brenda kafazit në Gjykatën e Elbasanit. Ai u la sot në burg, një javë pasi kreu krimin e rëndë në qytetin e Elbasanit. Në momentin që trupa gjykuese ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, Peqini ka nisur të qeshë.
Peqini u la sot në burg bashkë me Klaudja Sallufin që akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor në ngjarje. Të dy u vunë në pranga më 22 gusht, në periferi të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që kishin gati planin për tu arratisur nga Shqipëria. 33-vjeçari, Madrit Ulqinaku, babai i një vajze mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali në afërsi të bulevardit kryesor të Elbasanit, pranë stadiumit ‘Elbasan Arena’.
Natën e krimit u vu në pranga Eiden Dino, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarjes. I riu rrëfeu në gjyq se i gjithë debati kishte lindur mes Sallufit e Ulqinakut, për motive të dobëta. Dino tregonte se bashkë me Peqinin e Sallufin kishin konsumuar birra e kokainë natën e krimit, më pas kishin dalë nga shtëpia me një synim, përballjen me Ulqinakun.
Këtë të fundit e kishin parë duke hipur në mjet dhe e kishin konfrontuar. Sipas dëshmisë së 18-vjeçarit, ka qenë Sallufi ai që i ka thënë i pari Ulqinakut se e kishte bërë pis pasi e kishte prekur. Pas debateve mes Ulqinakut e Sallufit, në mes kishte hyrë Peqini, e kishte qëlluar me një plumb 25-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend.