Nikoll Lesi gjatë një interviste eksluzive për Fax News ka folur për incidentin e ndodhur me 13 prill me Policinë e Shtetit, për situatën politike në vend si dhe për bisedat e herë pas hershme që zhvillon me kryeministrin Edi Rama.
Sa i përket incidentit me policinë ditën kur u zhvillua protesta e fundit e opozitës, Lesi tha se ishte sporadik dhe nga mënyra se si ishte ndaluar teksa po shkonte për tek redaksia e gazetës së tij, i ishte dukur e qëllimshme.
“Ishte një incident sporadik. Pashë një motor mbi të cilin ishin 2 policë me skafandë në kokë që po më ndiqnin. Sapo marr kthesën për tek gazeta më dalin para dhe më ndalojnë. Më thonë nuk lejoheni të kaloni. U prezantova kush jam. E ndjeva si fyerje dhe si pengesë për punën time sepse të tjerët po lejoheshin të kalonin. U krijua një debat realisht sepse këmbëngula të kaloj, pati një moment kur ju thashë që të arrestojnë kriminelët e Rinasit jo mua.
Më kapën për të më njerrë nga makina pasi aty u ofruan edhe disa efektivë të tjerë, kishte një gërvishtje të lehtë por nuk mund të them se u dhunova. Isha pak i acaruar, ndërkohë mbylla derën dhe mora në telefon Ardi Veliun dhe për dy minuta u larguan. Pata një bisedë të tensionuiar me Veliun pasi ishte një sjellje jo narmale nga policia. Ai më mirëkuptoi besoi dhe u tregua i qetë dhe i sjellshëm”, tha Lesi.
Duke folur për situatën politike në vend, Lesi tha se një situatë e tillë është e stimuluar dhe e nxitur fillimisht nga Kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se sapo ndjen ndonjë kritikë apo vërejtje ai krijon një klimë armiqësie. Ai vijoi më tej duke thënë se Rama, si shumë emra të tjerë të medias sot, të cilët sipas tij janë edhe drejtues të tyre, ka qenë nëpunës i tij pasi ka punuar për njëfarë kohe në gazetën “Koha Jonë”.
“Klima është përhapur nga vetë krymeinistri i cili nxit një klimë armiqësie ndaj atyre që e krtitikojnë. Jam nga themeluesit e parë të medias së lirë dhe shtypit të shkruar. Nga redaksia e “Koha Jonë” kanë dalë njerëz të njohur që drejtojnë mediat sot, përfshirë nëse televizioni juaj ma lejon, edhe Arjan Çanin, Ben Blushin, Shkullakun, Rakipin madje edhe vetë Edi Rama. Unë me Ramën kam ndonjë kontakt pasi ndonjëherë flasim rastësisht për gjëra të ndryshme”.
Duke ju përgjigjur pyetjes se a është tentuar të intimidohet për qëndrimet e tij ndaj Ramës, Lesi tha: “Si punëdhënës i tij, sepse e kam patur gazetar në redaksi, mua nuk besoj se më intimidon dot. Unë mendoj se për shkak të situatës politike në vend, dhe nëse don të shkruajë historinë për shtetin dhe jo për pushtetin, duhet të bëjë dy hapa pas dhe jo një. Ai do të ikë një ditë sepse nuk mund të jetë i përjetshëm. Zoti Rama si një ish-koleg i imi, sepse unë kam kaluar kryeministra dhe presidentë të ndryshëm, një njeri normal që mendon para së gjithash për stabilitetin e vendit, duhet të thotë; ja urdhëroni, jap tërheqjen, shkon në zgjedhje dhe nëse ai nuk i ka blerë votat, po i fitoi të bëhet edhe drejtues i SPAK-ut, madje në një komunikim që herë pas here ne e gricim njëri-tjetrin, ai më shumë, i thashë një gjë të tillë”.
“Kam parë shumë të pushtetshëm që kanë bërë si arrogant, si të fortë, si të lidhur deri diku me krimin, por kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, uroj që kjo të mos ndodh me Ramën”, deklaroi ai duke ripërsëritur herë pas here qëndrimin e tij se Rama duhet të bëjë hapa pas.
Lesi foli edhe për letrën publike që i ka drejtuar Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshajt, duke thënë se nëse është ashtu siç miqtë dhe të afërmit e njohin duhet të tërhiqet nga sjellje të tilla ndaj protestuesve, duke argumentuar se me Ramën mund të ketë fatin e ministrave pararendës të tij.
“Jam i bindur se sapo Sandri të prek ndonjë interes që dëmton qeverinë dhe Ramën, do të ketë fatin e ministrave të mëparshëm pasi ai kështu sillet me atë që i del kundër. Nuk është 2019 koha për të përdorur në këtë mënyrë pushtetin me arrogancë, duke intimiduar median, duke blerë median. Mund të them që koha e Ramës po mbaron. Ndaj e këshilloj si katoliku një katolik që të distancohet nga sjelljet e tilla ku dhunohen dhe helmohen protestuesit”
“Kam një njohje 28-vjeçare në media, kam qenë edhe deputet, pjesë e Komisionit të Medias, dhe mendoj se nuk mund të dalësh çdo natë dhe të flasësh për cilëndo temë të mundshme kundrejt një lloj pagese”, tha Lesi duke folur për mos ekspozimin e shpeshtë të tij nëpër studiot televizive.
Në fund të intervistës eksluzive për Fax News me gazetaren Ambrozia Meta, Lesi bëri komplimente për linjën që mban ky televizion, në transmetimin e të vërtetës dhe në mënyrë të paanshme me të cilën sipas tij po bën historinë.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/292359668345214/
/faxweb.al/