Policia e Himarës ka arrestuar një 57-vjeçar, pasi u kap duke transportuar 5 emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë. Në pranga ka rënë 57-vjeçari me inicialet G. A., banues në Tiranë dhe rezident në Angli, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
57-vjeçari është kapur në flagrancë nga Policia në vendin e quajtur “Kthesa e Livadhit”, Himarë, duke transportuar 5 emigrantë që dyshohen se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi, të dyshuara të falsifikuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.