Mark Iuliano, trajneri aktual i skuadrës së Partizanit, ka arritur të fitojë pothuajse gjithçka si futbollist me Juventusin. Megjithatë jeta e tij nuk ka qenë shumë e qetë, pasi i është dashur të largojë edhe varësinë ndaj kokainës.
Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për “repubblica.it”, ai ka folur për të veçantat e trajnerëve me të cilët ka punuar si lojtar dhe çfarë ka marrë prej tyre. Ai gjithashtu ka treguar filozofinë se si drejton ai një ekip.
Çfarë tipi trajneri është Iuliano?
Nuk jam skllav i një skeme të caktuar, por mundohem që të zbatoj idetë e mia. Nuk kam as ndonjë kod etik në marrëdheniet me lojtarët për t’i kontrolluar kur dalin në mbrëmje, apo sa herë kryejnë marrëdhënie me gratë e tyre. Secili duhet të përqendrojë energjitë e tij, pasi stërvitja i përfshin të gjithë.
Kur luanit te Juventusi, keni pasur si trajner Lipin, Ançelotin, Kapelon. Cili nga këta ju inspiron?
Jam munduar të vjedh diçka nga secili prej tyre. Lipi është gjithmonë statik në pankinë dhe nuk del asnjëherë nga vetja. Ishte një maestro në leximin e lojës dhe bënte gjithmonë zëvendësimet e duhura. Ançeloti është një njeri i jashtëzakonshëm dhe çdo lojtar do të ishte gati për të thyer këmbët për të. Ndërsa Kapelo kërkon gjithmonë të interpretosh rolin tënd në mënyrë drastike. Por, për mua Murinjo është një gjeni.
Çfarë ke mësuar te Juventusi?
Që të përballoj zhgënjimet. Tre finale të Ligës së Kampionëve, një kampionat i humbur nën shi në Peruxhia dy muaj para Kampionatit Europian. Por, ne nuk kemi qarë asnjëherë dhe ja ku është sot Juventus që ka fituar aq shumë dhe është mësuar të humbasë.
Ju, Ronaldo dhe një penallti në mes…
Për atë episod nuk kemi folur asnjëherë, por tifozët e kanë diskutuar shumë. Ne, protagonistët në fushë, e kemi harruar menjëherë. Nuk duhet të harroni se ishte më i shpejti në planet dhe më i forti që kam markuar ndonjëherë dhe fatkeqësia e tij e madhe ishin dëmtimet. Sapo ai prekte topin e gjuante dhe e dërgonte në rrjetë.
Mund të na thuash si ndodhi që nisët të përdornit kokainën?
Isha në fundin e karrierës dhe kisha probleme me të afërmit e mi. Nga mërzia e provova dhe nisa të bëja ndeshje të çuditshme, gjëra të këqija. Nuk ishte doping, thjesht po dëmtoja veten time. Kërkova ndihmë dhe bashkëshortja ime, së bashku me familjen e saj më kanë shpëtuar. Rimora drejtimin e jetës time për fëmijët dhe tani vendos vetëm me kokën timë për gjërat. Pa të kaluarën time nuk do të kisha arritur këtë ekuilibër që kam sot.
Megjithatë si trajner në vitin 2012 te Pavia, ju kanë skualifikuar për 6 muaj. Si ndodhi?
Po humbisnim 6-1 me Novarën dhe disa prej lojtarëve të skuadrës sime ndaluan lojën, pasi një prej tyre u dëmtua. Arbitri i kishte thënë njërit prej tyre i “zi”. Në fund shkova dhe kërkova shpjegime dhe arbitri më tha se lojtari ishte një “copë m….”, përpara shumë dëshmitarëve. Por, në raport shkruhej se unë e kisha kërcënuar me vdekje. /Panorama/