Inter rrezikon një vend në Champions League në sezonin e ardhshëm. Pas barazimit në derbi me Milan, zikaltrit janë mposhtur në transfertën e javës së 31-të në Serie A. Torino ka mundur Inter 1-0, një rezultat ky i padrejtë për zikaltrit, për shkak se dominuan gjithë ndeshjen. Inter rrezikon të humbasë vendin e katërt në klasifikim, nëse Lazio do të fitojë në fushën e Udinese-s, ndeshje që do të luhet sot në orën 18:00.
Goli që ka zhbllokuar takimin ka ardhur nëntë minuta para fundit të pjesës së parë dhe është shënuar nga vendasit, të cilët kanë kaluar në avantazh me ish-sulmuesin e Inter, Adem Ljajic. Në minutën e 43-të të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i dytë i Torino-s, i shënuar nga Iago Falque, por që është anuluar për pozicion jashtë loje. Inter e ka filluar pjesën e dytë në sulm, duke shkuar disa herë afër golit të barazimit.
Rasti më i rrezikshëm ka qenë ai i minutës së 70-të, kur gjuajtja e Ivan Perisic është ndalur nga shtylla, teksa portieri Sirigu ishte i mposhtur. Sulmet e lojtarëve të Spalletti-t kanë qenë të vazhdueshme, por goli ka munguar dhe rezultati ka mbetur i pandryshuar.