Thellohet skandali me kompanitë fantazmë, që lëshojnë fatura fiktive në Shqipëri. Pasi u përdor si përfaqësuese ligjore e Kompanisë që ndërvepronte me inceneratorin e Tiranës Elvis-07, Merita Hajdari figuron pronare e 100% e aksioneve të kompanisë ELJADI shpk, që merret me përpunimin inerteve.
Kompania është themeluar në 2010 dhe ka si qendër Fushë-kuqen në Laç, në gusht të 2016 kjo kompani ka aplikuar në QKR për pezullimin e aktivitetit, ndërkohë që disa muaj më pas në janar të 2017, kompania e pezulluar i është shitur për 100 mijë lekë Merita Hajdarit.
Kjo e fundit mohoi kategorikisht për Neës24 përfshirjen në këtë transaksion, ndërkohë që dokumentet e administruar në Qendrën kombëtare të biznesit përmbajnë gjeneralitetet e saj, numrin personal dhe kartën e identitetit.
Edhe pse emri i kompanisë ELJADI shpk nuk ka dalë ende e lidhur me skemën e inceneratorëve, por dyshimet për përfshirje në skema mashtrimi dhe evazioni fiskal janë të forta. Sesi ka përfunduar Merita Hajdari aksionere dhe administratore e një kompanie, ndërkohë që vazhdon të mbledhë kanoçe dhe të bëjë punë krahu nëpër Tiranë, mbetet për t’u zbuluar nga autoritetet.
Po ashtu, mbetet për t’u zbuluar nëse identiteti i Merita Hajdarit është përdorur nga të njëjtët persona, si në rastin kur firmoste për llogari të Gjyste Serrmit, ashtu dhe kur është bërë pronare e një kompanie inertesh.