Relacioni për Këshillin Bashkiak: Shkak ankesat e biznesit
Mes gjashtë vendimeve që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që mbahet sot në mbrëmje, është edhe ndryshimi i paketës fiskale të muajit Dhjetor 2015. Në relacionin për anëtarët e Keshillit Bashkiak thuhet se ndryshimet po bëhen për shkak të ankesave të biznesit, i cili ka kërkuar uljen e barrës fiskale.
Ndryshimet që pritet të kalohen janë ndryshimi i niveleve të “Taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë”. Ky ndryshim vjen si rezultat i interpretimeve në raport me ndryshimet e fundit në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” dhe vështirësitë e aplikimit në praktikë.
Propozohet heqja e tarifës së pastrimit “Vendosje tavolina në muaj në hapësirat publike për tavolinë”, me qëllim ekuilibrimin e ngarkesës së shtuar fiskale nëpërmjet aplikimit të tarifës së re për zënien e hapësirës publike. Propozohet dhe ndryshimi i ndarjes territoriale sipas zonave A, B dhe C për efekt të aplikimit të “Tarifës për zënien e hapësirës publike”, e cila mundëson ngushtimin e zonës A, ku tarifa është gjysma e nivelit të zonës A. Ky propozim, mundëson, sipas relacionit, aplikimin e tarifës në përputhje me zhvillimin ekonomik në zonën respective dhe uljen e ngarkesës fiskale për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në zona me tregues ekonomik të botës. Bashkia gjithashtu ka marrë në konsideratë që detyrimet e muajit janar dhe shkurt, të cilat kanë lidhje me tarifën e zënies së hapsirës të mos aplikohen këto muaj, por vetëm pas 1 marsit. Afati i pagesës nga 20 prilli shtyhet në 30 maj.