Kryeministri Edi Rama priti sot Ndihmës/Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland dhe e falenderoi për vizitën në këtë moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën të ditur se diskutimi mes Kryeministrit dhe zonjës Nuland u përqendrua tek Reforma në Drejtësi.
Rama rinënvizoi qëndrimin e tij se shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cënon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët tanë strategjike, si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian.
Duke e falenderuar Kryeministrin për përpjekjen e madhe në rrugën e realizimit të kësaj reforme, Victoria Nuland nënvizoi se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët ta mbyllin këtë proces dhe të arrijnë në një marrëveshje me suksesin e merituar për Shqipërinë e për popullin shqiptar.