Kryeministri Edi Rama ka komentuar takimin e mbajtur në Bruksel ditën e sotme mes Ministrit të Jashtëm Bushati dhe përfaqësueses së Lartë të BE, Federica Mogherini.
Me anë të një postimi në Facebook Rama shkruan se reformat nuk janë shëtitje, por rrugëtime të vështira.
Postimi i plotë:
Reformat nuk janë shëtitje po rrugëtime të vështira. Të bësh shtet është e lehtë ta thuash, po duhen përpjekje të mëdha ta bësh. Por sot, kush thotë se nuk jemi në rrugën e duhur, ose nuk do të shohë ose gabimisht e ka menduar të lehtë këtë rrugë. Kënaqësi të ndaj me ju këndvështrimin e Bashkimit Europian mbi aktualitetin e përpjekjes sonë.
TAKIMI I NËNTË I KËSHILLIT TË STABILIZIM ASOCIIMIT MES SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN
Bruksel, 15 nëntor 2017 – Deklarata e përbashkët për shtyp
Këshilli i Stabilizim dhe Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbajti takimin e tij të 9-të më 15 nëntor 2017.
KSA konstatoi Raportin e vitit 2016 të Komisionit për Shqipërinë, i cili njohu përparimin e vendit drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe vazhdimin e progresit përgjithësisht të qendrueshëm në pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të aderimit. Këshilli konstatoi gjithashtu se Komunikimi i vitit 2016 nga Komisioni mbi Strategjinë e Zgjerimit të BE, mbi bazën e progresit në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe në varësi të zbatimit të reformës në drejtësi dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) në veçanti, rekomandoi hapjen e negociatave të aderimit me Shqipërinë. Që prej këtij momenti, Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm domethënës.
KSA konstatoi përkushtimin në vazhdimësi të Shqipërisë për axhendën e reformave dhe nënvizoi se së bashku me prioritetet e tjera kyçe, reforma në drejtësi mbetet thelbësore në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe mund të ketë efekt transformues edhe për reformat e tjera. Në këtë kontekst, KSA përgëzoi për krijimin e institucioneve përgjegjëse për vetting-un në qershor 2017 dhe theksoi se ky sukses i rëndësishëm përbën një hap përpara në zbatimin e reformës në drejtësi. KSA gjithashtu mirëpriti vendosjen e monitoruesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka filluar punën nën udhëheqjen e Komisionit Evropian. BE mirëpriti gjithashtu hapat e mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Gjithashtu, KSA vlerësoi pozitivisht hapat e ndërmarrë në çështjet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë miratimin e Ligjit Kuadër mbi Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
KSA konfirmoi se Shqipëria ka mbajtur një ritëm të lartë në zbatimin e masave të reformës së administratës publike dhe mirëprit në veçanti konsolidimin e masave që kanë si qëllim fuqizimin e transparencës dhe meritokracisë në Shërbimin Civil dhe përmirësimin e efektivitetit në kryerjen e shërbimeve publike.
KSA njohu rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv. KSA vlerësoi pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat rajonale dhe strukturat në Evropën Juglindore, si dhe marrëdhëniet fqinjësisë së mirë dhe qendrimet konstruktive në rajon. BE ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti në rajon janë elementë thelbësorë të procesit të Stabilizimit dhe Asocimit.
KSA mirëpriti vazhdimësinë në bashkimin e plotë të Shqipërisë me vendimet e Këshillit të BE dhe me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Takimi u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë/Zv. Presidentja e Komisionit, Federica Mogherini. Delegacioni shqiptar u kryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati. Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Christian Danielsson, përfaqësoi Komisionin Evropian.