Prej disa minutash po mbahet protestë para Ministrisë së Brendshme me moton, “nuk e vrau varka, por shteti. Protesta vjen pas tragjedisë së ndodhur në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.
Qindra qytetarë janë bërë pjesë e protestës, me pankarta në duar dhe thirrje për drejtësi. Mes tyre është vënë re dhe reperi i njohur Stresi, i cili më herët ka reaguar i revoltuar në rrjetet sociale, duke u shprehur se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duhet të japin dorëheqjen.