Në një kohë kur spitalet shqiptare përballen me mungesë ilaçesh, pajisjesh bazike dhe kushte që shpesh duken më afër një reportazhi kritik sesa një sistemi shëndetësor europian, Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala zgjodhi të flasë për të ardhmen, Inteligjencën Artificiale dhe rolin e saj në diagnostikën moderne. Në një leksion të hapur me studentët e mjekësisë, ajo theksoi rëndësinë e inovacionit dhe përgatitjen e brezit të ri për transformimet teknologjike në shëndetësi.
Ministrja, duke iu referuar përvojës së saj akademike në qendra ndërkombëtare, inkurajoi studentët të përqafojnë teknologjinë si pjesë thelbësore të profesionit të tyre të ardhshëm. “IA nuk do zëvendësojë radiologët, por do zëvendësojë ata që nuk e përdorin atë”, u shpreh ajo, një deklaratë që synon të nxisë debat mbi modernizimin e sistemit shëndetësor.
Ndërkohë, realiteti në spitalet shqiptare mbetet shumë i dobët, infrastrukturë e amortizuar, mungesë ilaçesh bazë dhe shërbime shpesh të pamjaftueshme për pacientët. Në këtë kontrast mes vizionit për teknologjinë dhe problemeve të përditshme, sistemi shëndetësor vijon të jetë nën presionin e kritikave për standardet e tij aktuale.








