Álvaro Arbeloa ka konfirmuar se do të largohet nga drejtimi i përkohshëm i Real Madridit, duke mbyllur një kapitull të shkurtër por të rëndësishëm në stolin e “Los Blancos”.
Në konferencën për shtypin para ndeshjes së fundit të LaLigs ndaj Athletic BilbaoS, Arbeloa u shpreh se sfida e së shtunës do të jetë e fundit e tij si trajner i Real Madridit, duke lënë të hapur mundësinë për një rikthim në të ardhmen.
“Uroj që të jetë një ‘mirupafshim’ dhe jo një lamtumirë, sepse kjo është gjithmonë shtëpia ime. Do të jetë ndeshja ime e fundit me Real Madridin… nuk e di nëse edhe e fundit e karrierës sime”, deklaroi ai.
Një nga temat më të diskutuara ishte edhe e ardhmja e mundshme e José Mourinho-s, në rast rikthimi të tij në Madrid. Arbeloa ishte i prerë, duke përjashtuar çdo bashkëpunim me të.
“José Mourinho ka një staf fantastik. Nëse vjen te Real Madridi, do të vijë me ekipin e tij teknik. Nuk ka asnjë mundësi që unë të jem pjesë e stafit të tij. Nga e hëna do të mendoj për atë që është më e mira për mua”, u shpreh ai.
Arbeloa u ndal edhe te rrugëtimi i tij si trajner i përkohshëm që nga 12 janari, duke zëvendësuar Xabi Alonson. Ai theksoi se kjo periudhë e ka ndihmuar të rritet si profesionist dhe si njeri.
“Shumë situata më kanë bërë më të mirë. Kam folur me të gjithë, ndonjëherë kemi qenë dakord e ndonjëherë jo, por jam shumë mirënjohës. Largohem me shumë miq dhe me ndjenjën se jam rritur”, shtoi ai.
Në fund, trajneri spanjoll nuk kurseu fjalët e mira për Dani Carvajal, i cili gjithashtu është në prag largimi. Arbeloa e cilësoi atë si një simbol të Real Madridit dhe një shembull për klubin, duke konfirmuar se Carvajal do të jetë titullar në ndeshjen e fundit dhe do të nderohet nga tifozët.





