Nga Ilir Seci
Sa herë që shkoj nëpër aeroporte e rijetoj nji ndjesi që me asht ngulite në mbamendje qysh në fëmini…ndjesinë e dëshirës me udhëtue pambarimisht, me dalë dhe me pa botën e madhe. Si fëmijë në Markaj më kujtohet sa herë, kur ndiqja me sy ate shtëllungën e bardhë që linte në qiell avioni, kur bante trajektoren e vet mbi Malësi…
Ajo shtëllungë tymi e bardhë që linte mbrapa avioni më dukej si fija e leshit që dilte prej bashkës nga furka e Nanalokes, kur tirrte aty ndër hije, në rogë…, si fija e penit të andrrave te mia, fije që tirrte ngeshëm andrrimi jem aty, shtri në shpinë tue kqyrë qiellën, derisa më dhimbshin sytë. Imagjinata jeme flututonte shumë ma shpejt se avioni që fektonte në qiellë, më çonte në tanë vendet e botes, në katër anët e globit…
Sa herë që shkoj në aeroporte, unë rri e zhdredhi atë lamsh kujtimesh guzhmue prej imagjinatës së mbledhun nga shtëllungat e avionave… asnjiherë nuk mërzitem, kur shtyhen fluturimet, pres ngeshëm, sepse ai lamsh kujtimesh asht i madh e zhdredhja nuk mbaron kurrë.
… Në aeroportin “Leonardo da Vinci” në Romë të uron mirëseardhjen gjeniu italian, Leonardo, mjeshtri gjigand… ecën nëpër korridorin e ngushtë që të çon te avioni ndërkontinental, avioni i madh që mban rreth pesëqind pasagjerë në bord. Te dera e avionit tanë elegancë të urojnë mirëseardhjen italisht dhe anglisht stafi i avionit AZ 610, Romë-NewYork. Buzëqeshja e tyne e ngrohtë ka diçka nga dielli i Romës… të ban me u ndie mirë, shumë mirë.
Futesh në avion, te hymja asht klasi i parë, zonja e zotni të randë ulun aty tanë prezencë, në ndejëset, ku bileta kushton mijëra dollarë. Unë qeshi me veti: “Në daçi në klas të parë e në daçi në ekonomi – njisoj mbrrijmë në aeroportin “Kenedi” në NewYork, nuk asht se ju që pagueni ma shumë mbrrini ma shpejt… 9 orë fluturim asht si për ju, si për ne…”.
Tue ecë mes rreshtave mundohem me shkue te rradha, ku kam biletën… nësa eci rri e vëzhgoj vëmendshëm pasagjerët që janë ulun në vendet e tyne. Ftyrat e secilit pasagjer më duken si kapakë librash të palexuem, secila ftyrë më duket se mbas kapakut të vet ndryn nji histori.
Qe ku asht italiani i hareshëm, ka veshë kanotiere “Fila” për me diftue muskujt e krijuem me orë të tana stërvitje në palestër e mbi tana me diftue artin në tatuazhet, me të cilat ka zbukurue lëkurën. Pamja alegro e italianit dallohet që ka ngjallun panik në ftyrën e arabit që i ka qillue bileta ngjitë me italianin. Arabi mundohet me nxanë pamjen e grues mbulue me çarçafë, ku i dallohen vetëm sytë… italiani i pashëm në kanatierë, me muskuj e tatuazhe asht shenja e kiametit për botën e arabit që duket si nji mi i zanun në çark, për ma tepër që e di se në avion nuk ka kurrsesi nga me ia mbajtë…
Dy rradhe ma përtej dy polakë e mbyllin çdo fjali me shprehjen “kurva”, nji grup italianësh të tërhjekin vëmendjen me harenë e tyne, duket që asht familje e tanë që po shkojnë në NewYork.
Amerikanët në heshtje dallohen tek rregullojnë disa lloj nënkresash-qafë, që blihen në zonën, ku pritet për me marrë avionin, qetësia e tyne difton se e kanë njet me i futë nji mendje të lehtë 9 orëve fluturim… gjumë deri në NewYork.
Nji hebre në heshtje mundohet me shfrytëzue çdo milimetër te hapësinës, ku vendosen valixhet e vogla mbi krenat e pasagjerëve, i vendos, i zhvendos plot durim, derisa u gjen vend të tanave. Ma andej mundesh me pa aziatikët që komunikojnë si me kenë pantomimë në rruget e Parisit, vetëm me gjeste, duen me shmangë vëmendjen me çdo kusht…
– “Bash si kulla e Babelit” – mendova me veti.
Pak pa mbrritë te rradha 39, ku i kishim vendet familja jonë, ndigjoj nji zhurmë debati… nji familje shqiptare po banin fjalë me stjuardesën, si e mësova kur u ula ndejun, nji zonjë napolitane donte me e ba udhëtimin 9 orësh përkrah me burrin e vet, por tue kenë se ua kishin caktue vendet ndamas nuk ishte e mujtun. Tanë mirësjellje stjuardesa iu lut nji grueje shqiptare me ndrrue ndejësen me burrin e napolitanes: “Ti je vetëm zonjë-vetëm se vetëm shko dy rradhë ma përtej”…, por nji i njoftun i saj shqiptar që ishte një rradhë para kcente: “Pse me ia ba atë nder?…Kjo mikja jonë duhet me ndejtë këtu, se nuk di anglisht.” – (Ëhy she should do her that favor? She doesn’t speak any english.)”…nënqesha me veti, shqiptarë dhe napolitanë me i lëshue udhë njani-tjetrit? Iu urova fat stjuardesave…
Tue kujtue mendimin që më përshkoi trunin ma herët mbi Kullën e Babelit… mendova në heshtje se Kulla u kompletue… Mesdheu ishte aty i tanë.
Nësa pritsha avionin e kompanisë “Alitalia” me u ngritë në qiellë dhe me lëshue shtëllungën e kujtimeve të mia, pashë foton që kisha ba te hymja e aeroportit “Leonardo da Vinci”, foton e gjeniut italian, gjeniut që i dha jetë Rilindjes Europiane…
E bana zoom këtë foton që po sjell këtu, e me veti u mundova me marrë me mend se sa i lumtun kishte me kenë gjeniu da Vinci po të kishte mundësi me e ditë që aeroporti ma i madh i Italisë mban emnin e tij…