Nga Mustafa Nano
Në nenin 73, pikën 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përcaktohet qartë se “deputeti nuk mund të arrestohet, atij nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdo forme, dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll personal apo i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Nuk ka qenë kështu gjithnjë. Deri në vitin 2011, deputeti ishte i mbrojtur edhe prej hetimit. Me fjalë të tjera, deputeti, jo vetëm nuk mund të arrestohej, por edhe nuk mund të ndiqej penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Por atëmot u miratua (nën presionin e Brukselit e Washingtonit) një ndryshim në rregulloren e Kuvendit, me anën e të cilit deputetit nuk i njihej më mbrojtja e blinduar që gëzonte prej Kushtetutës. Duhet thënë se ky ndryshim i rregullores ishte antikushtetues. Kuptohet pse. Mbrojtja e deputetit prej hetimit apo arrestimit ishte një prerogativë e tij kushtetuese, dhe për ta vënë në diskutim apo ta rishikuar këtë prerogativë, lipsej një ndërhyrje po në Kushtetutë. Por ndodhi ajo që ndodh gjithnjë. Kur një aksion politik “i mirë dhe i nevojshëm” gjen si pengesë Kushtetutën, kësaj të fundit ia futin shkelmin fare kollaj. Kushtetuta nuk ka kurrë këtyre anëve vlerën që ka një vullnet “pozitiv” politik, i mbështetur nga diplomatët e nga opinioni publik.
Ndryshimi në rregullore saktësonte se prokurorët mund të fillonin sa herë që do ta shihnin të arsyeshme hetimin ndaj një deputeti, dhe për këtë nuk kishin më nevojë t’i merrnin dorën Kuvendit. E prej atij momenti, prokurorët nuk kanë ndonjë detyrim që të paraqesin prova apo elemente të tjera të dosjes hetimore në ngarkim të deputetit. Në fakt, në rastin “Tahiri” socialistët iu kërkuan prokurorëve prova, dhe ishte ky justifikimi që ata paraqitën për të mos lejuar prokurorinë të bënte arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. “Provat nuk janë bindëse”, u tha. Merret vesh se kanë shkelur rregulloren. Dhe tani, duke mos dashur të ndodhen sërish nesër në të njëjtën situatë, kanë ndërmarrë një nismë për ta ndryshuar nenin që ka të bëjë me imunitetin e deputetëve në rregulloren e Kuvendit. Për këtë u duhen veç votat e tyre.
Kjo është një lëvizje e papritur, ç’është e vërteta. Përballë paralajmërimit apo zotimit mbi arrestimin e peshqve të mëdhenj, të gjithë ne kishim zënë të bënim pyetjet: “Po si do bëhet kjo përderisa peshqit e mëdhenj kanë imunitet ndaj arrestimit? E përse do shërbejnë prokurorët e gjyqtarët specialë, nëse arrestimi i këtyre peshqve është në dorë të parlamentit? A nuk ka rrezik që SPAK-u të shndërrohet në një organizatë joqeveritare?” (ky krahasimi i SPAK-ut me një organizatë jo qeveritare është i Bashës; e tha dje). Dhe pikërisht në këtë rrethanë, socialistët ndërmarrin këtë nismë për ta fuqizuar edhe ca më shumë këtë mbrojtje. Kërkojnë të bëjnë pjesë të rregullores praktikën antirregullore që ndoqën në rastin “Tahiri”. Duan pra që prokurorët të vinë me prova në Kuvend. Duan gjithashtu që deputeti, për të cilin kërkohet arrestimi, të ketë të drejtë t’u bëjë pyetje prokurorëve gjatë shqyrtimit të kërkesës së tyre, dhe të bëjë shpjegimet e veta. Duan më në fund që votimi mbi kërkesën e prokurorëve të mos jetë më i fshehtë, dhe kështu t’i japin mundësi deputetit nën akuzë, por edhe gjithë opinionit publik, që të marrë vesh se cilët deputetët kanë votuar pro e cilët kundër. Shkurt hesapi, duan t’ua bëjnë malore punën prokurorëve në rastin që këta të fundit do duan të hetojnë peshq të mëdhenj.
Kjo gjë bie erë. Një nismë e tillë në një kohë që Reforma në Drejtësi është në proces zbatimi tregon se në parlament ka njerëz që i ka zënë frika. Disa syresh kanë zënë të mendojnë, me sa duket, në këtë mënyrë: “Deri dje nuk kishim fare nevojë për mbrojtje, pasi nuk ishim të kërcënuar; organi i akuzës kishte një kompleks subordinimi ndaj politikës e ndaj parlamentit; mirëpo tani organi i akuzës po na del nga duart; prokurorët, sidomos ata të njësisë speciale, dhe gjyqtarët, sidomos ata të Gjykatës speciale, do të jenë si mina shëtitëse me sahat, kështu që nuk do ishte keq sikur të merrnim ndonjë masë mbrojtëse shtesë”. Mbi bazën e kësaj logjike, u ka shkuar mendja të ndryshojnë rregulloren. Sepse nuk u ka mbetur gjë tjetër për të bërë. Procesi ka ecur shumë përpara për të patur mundësinë që ta sabotojnë. E shumta që mund të bëjnë, është ta ngadalësojnë këtë proces, por jo ta bllokojnë.
Saktësojmë: kjo është një nismë e socialistëve. Lind pyetja: I ka kapur frika socialistët? Sigurisht. Madje, u ka hyrë në palcë. Ata e kanë shitur reformën si një gjë të tyren, dhe në një masë të madhe ka qenë bash kështu (ata e nisën, ata e mbështetën, ata e çuan deri në fund procesin, pa bërë asnjë naze), por kjo nuk do të thotë se drejtësia do të jetë në dorë të tyre. Mbi të gjitha, atyre u kallin datën prokuroria speciale e gjykata speciale. Kështu që përsërisim: socialistët i ka zënë frika. Demokratët e LSI-stët e kanë demonstruar me kohë që kanë qenë të terrorizuar nga reforma, por frika e socialistëve ishte një gjë e panjohur. Kjo tregon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë që po ngrihet nuk do të jetë i kontrolluar nga palët. Me këtë bie edhe zhurma e opozitës se sistemi po bie në dorë të socialistëve.
Reagimet e Bashës (“Rama ka propozuar një ligj të posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj; kushdo që priste arrestimin e peshqve të mëdhenj, tani do të përballet me cironka; kjo do e kthejë SPAK-un në një organizatë jo qeveritare; do të jetë Rama ai që do vendosë për arrestimin”), i Palokës, i Vasilit etj., bëhen thjesht për një tabiat a instinkt opozitar, e jo për të treguar se frika në opozitë nuk ekziston. Nëse duan të tregojnë seriozisht se janë kundër kësaj nisme të socialistëve, le ta shndërrojnë në kalë beteje këtë gjë. Le të ngrihen në parlament e le të mbrojnë të kundërtën, le të mbrojnë pra idenë që deputetëve jo vetëm nuk u duhet fuqizuar imuniteti parlamentar, por u duhet hequr edhe ai imunitet që kanë, në mënyrë që organet e reja të drejtësisë të mos kenë fare punë me parlamentin kur u duhet të arrestojnë deputetë. Është antikushtetuese që ta lësh deputetin me imunitet zero (neni 73/2 është ende në fuqi), por punë e madhe. Jemi në Shqipëri, babam, ku Kushtetuta nuk ka asnjë vlerë përballë nismave “të vullnetit të mirë”. Gjatë 28 viteve të fundit ideja se “konsensusi politik dhe vullneti për të bërë punë të mira vlejnë më tepër se çdo ligj” ka patur peshën e një principi superkushtetues. Këtë princip e kemi ndjekur në mënyrë rigoroze e të zellshme. Le ta ndjekim edhe njëherë të fundit, nuk u bë kiameti.
E bëjnë dot këtë gjë? Ua mban? Ne po presim. Siç po presim Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale.