Nga Arben Llalla
Me shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm servilat e injorantët e MPJ-së filluan të na tregojnë përralla duke na i shitur si “sekrete” diplomatike. Çunaku i i qejfit të valles greke Glevin Dervishi që herë jemi mësuar ta shohim si zëdhënës, këshilltar këtë fundviti na doli se qenka drejtor i MPJ. Ky “drejtor” na rrëfeu “patriotizmin” e Bushatit, se gjoja na paska bërë grekët të kërcejnë vallen e Osman Takës, çamit nga Filati.
Por, injoranca dhe skizofrenia e diplomacisë shqiptare s’ka fund. Nga fotot, filmimet dhe përgjimet e oficerëve të kontaktit doli se Bushati, Dervishi e të tjerë kërcyen Zorbën greke, ndërsa Kotzias dhe ekipin e tij merreshin me punët e tyre diplomatike duke thurrur intrigat antishqiptare. Se sa “patriot” është Bushati e dimë, sepse ai e mbushi diplomacinë me injorantë, servilë dhe njerëz të shërbimeve të huaja. Bushati e hoqi çamin zëvendësministrin e Jashtëm, Halil Hyseni për grekofonen Artemis Dralon. Shefi i kabinetit të Dimtir Bushatit ka qenë shtetasi shqiptar me kombësi dhe shtetësi greke, Pirro Vengu.
Diplomacia shqiptare nga Konsullata e Janinës, Selanikut dhe Ambasada në Athinë, Bushati i mbushi me diplomatë me kombësi greke. Çështja arriti sa konsull u bënë edhe shitësi i fruta-perimeve të pazarit të Volosit. Pa folur për diplomatët e shkollës së vjetër të UDB-së, të cilët vazhdojnë edhe në moshë të thyer të jenë ambasadorë apo konsuj.
Meqenëse Glevin Dervishi ende se ka të qartë pas kaq vitesh pune në MPJ se si funksionon ajo ministri, le të zbresë në katin e tretë dhe të pyes se çfarë informacionesh kanë oficerët e kontaktit për të, vallen greke që kërcen dhe ish-shefin e tij Ditmit Bushatin.
Sa për vallen e Osman Takës e gjithë Greqia e kërcen dhe e këndon me qejf pa asnjë problem, sepse ajo valle shqiptare ka vlerat e saj folklorike dhe grekët janë tuj plas që nuk po e “privatizojnë”, ashtu siç kanë bërë me vlerat e tjera kombëtare shqiptare duke filluar nga heronjtë e 1821, fustanella, iso-polifonia e kështu me radhë.
Këshilltari, zëdhënësi apo drejtori Dervishi duhet ta dijë se diplomacia shqiptare funksiononte shumë mirë, por janë politikanët dhe kategoria juaj servilosëse që e shkatërruan. Në MPJ nuk punojnë vetëm ata që shohim në media apo të tepsisë së Ramës, por edhe mijëra këshilltarë, informatorë, oficerë të dukshëm dhe të padukshëm, të cilët mbajnë peshën e rëndë të gafave apo shitblerjes kombëtare që bëjnë “diplomatët” si Bushati, Vengu apo edhe Dervishi. Prandaj, të lutem mos na nxirr më “sekrete” diplomatike të valles së Osman Takës, por dil e thuaj që kërkesat greke Ditmir Bushati i realizojë me sukses.