Pas padisë së dorëzuar kundër KLP, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se drejtësia tani është “në provë” për të treguar a do të jetë SPAK për pushtetin dhe bandat apo për qytetaret.
Në një postim në facebook, Bardhi shprehet se sistemi i drejtësisë është vënë në provë nga brenda vetes. Sipas tij, KLP i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar.
“Sistemi i drejtësisë është vënë në provë nga brenda vetes. KLP është paditur për manipulim dhe si shtojcë e Partisë Socialiste. Në shkelje flagrante të ligjit, KLP i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Bardhi gjithashtu bën edhe disa pyetje, ku thotë:
“Pyetja që e bën sot çdo shqiptar është:
A do të lejojë gjykata një SPAK të kapur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij si Taulant Balla?
A do të lejojë gjykata që të bëhet pjesë e SPAK prokurori famëkeq, Alfred Shehu?
Si mund të jetë i denjë për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin një prokuror që gënjeu hapur dhe publikisht për ti shërbyer bandave dhe korrupsionit qeveritar?
Përgjigja e këtyre pyetjeve nga drejtësia do të ndajë qartë, nëse sistemi i ri drejtësisë do t’u përkasë përfundimisht pushtetit dhe bandave apo miliona euro dhe dollarë u shpenzuan që sistemi t’u shërbejë qytetarëve” – thekson Bardhi.