Një tjetër shuplakë për “tika-taka”, ndërsa Bajerni i Guardiolës ishte i mallkuar nga spanjolët. Pas Realit dhe Barcelonës eleminohet edhe nga Atletiko
Atletiko e Madrid arrin e para në Milano për ndeshjen e madhe. Në 28 maj, në “San Siro”-n e tij, Simeone do të luajë finale e dytë të Champions League në këto tre vjet. Sot është Real Madrid – Mançester Siti, për t’i ofruar rivalin. Për Guardiolën, tashmë trajner me kohë të plotë i Mançester Sitit, rruga europiane me Bajernin u mbyll me tre gjysmefinale, për ironi të fatit pikërisht aq sa bëri Murinjo me Realin. Bajerni i tij u eleminua nga Reali, Barcelona dhe Atletiko… Spanja e mallkuar. Bavarezët e kishin humbur ndeshjen e parë 1-0 në “Vinsente Calderon” dhe fituan 2-1 në Mynih, por kjo nuk mjaftoi. Në fakt ishin ata që meritonin diçka më shumë, por atë mbrëmje, në krahun tjetër ishte edhe oktapodi Jan Oblak, heroi i madrilenëve. Ndryshe nga nedshja e parë, Guardiola kishte bërë tre ndryshime në formacion; Boateng i rikthyer si titular pas tre muajsh në qendër të mbrojtjes dhe Alaba i spostuar majtas dhe më përpara Myler dhe Riberi, në vend të të rinjve Tiago e Koman. Ndërsa tek Atletiko ishte kthyer Godin në mbrojtje në vend të Saviç.
Në të 31’, ish-madreleni Ksani Alonso, që është edhe më i urryeri tek “kolçoneros” ka kaluar vendasit në avantazh. Ndërsa tre minuta më vonë kishin rastin e artë të dyfishonte avantazhin, por goditja e Myler gjen Oblak në formë të shkëlqyer. Për Myler është gabimi i katërt në nëntë tentativat e fundit nga pika e bardhë. Në të 53’ është një kundërsulm vrasës i madrilenëve dhe asistin e Torres, Grizman e kthen në gol. Në të 74’, pas një kërcimi të fuqishëm të Vidal, Lenvandovski nuk e kishte të vështirë ta shtynte topin për në rrjetë. Por kjo ndeshje kishte edhe një tjetër 11 metërsh në të 84’ këtë rradhë në favor të skuadrës së Simeones, pas një faulli që nisi jashtë zonës. Ndërsa Fernando Torres hipnotizohet nga Nojer dhe e zgjat edhe për disa minuta vuajtjen e Atletikos. Pra me zemër të madhe, mushkri të fuqishme dhe një portjer të jashtëzakonshëm, katenaçio e nxorri jashtë sërish tika-takan.