Nga Përparim Demi
Ka një vit që Rumania po përjeton një krizë institucionale dhe sociale në të njëjtën kohë. Qëndra e muhabetit është bërë lufta kundër korrupsionit. Në 2007-tën, kur Rumania u pranua në BE, plotësoi kushtin legjislativ të ndarjes së pushteteve në shtet (legjislativ, ekzekutiv dhe drejtësia), por deri më sot vazhdon të jetë e monitorizuar, nën vëzhgim. Duke qenë se kemi një republikë semipresidenciale ekzekutivi drejtohet nga Presidenti, domethënë ai emëron kryeministrin, por nuk e heq dot ama pa parlamentin. Presidenti është i zgjedhur direkt nga populli, ndërsa qeveria është politike, propozohet nga mazhoranca parlamentare dhe miratohet nga ai. Ndërkohë që qeveria bie vetëm me mocion ose kur kryeministri jep dorëheqjen vetë.
Sistemi i drejtësisë është independent dhe drejtohet nga CSM, por prokurorët-shefë propozohen nga Ministri i Drejtësisë dhe emërohen nga Presidenti, pasi merret dhe një miratim konsultativ nga Këshilli Suprem i Magjistraturës.
Që nga 2004, u ngrit një department i luftës kundër korrupsionit (DNA një lloj SPAK-u). Ky ka hetuar dhe dërguar në gjyq deri tani gati dy mijë raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe 90 % e rasteve janë vërtetuar dhe përfunduar me dënime gjyqsore. Janë dënuar kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë, gjyqtare dhe prokurorë e kështu me radhë. Sot, kryetari i Partisë Socialiste (PSD) është dënuar katër vjet me suspendim dhe vazhdon të hetohet në dy dosje të tjera për korrupsion, megjithatë ai mban postin e kryetarit të dhomës së deputetëve. Kryeministër nuk bëhet dot i shkreti, se nuk e lejon ligji. Ky do të nxjerrë një ligj që ta lejojë të bëhet kryeministër dhe t’ia fshijë dënimin. Ka ndërruar tre qeveri dhe tani ka vënë si kryeministre një levë të tij, që i rri lepe-peqe. Kryetari i Senatit dhe kryetari i një partie të vogël liberale, ALDE (që është në koalicionin e shumicës), është duke u hetuar nga DNA për deklarata kallpe në një gjyq lidhur me një proces korrupsioni. Janë dënuar funksionarë të korruptuar pa dallim nga pozita dhe opozita.
Çfarë po ndodh tani?
Ka një vit që po mundohen të ndryshojnë ligjet për t’u krijuar rrethana lehtësuese të hetuarve dhe të dënuarve për korrupsion. Në parlament propozohen ligje që e favorizojnë korrupsionin, po ashtu dhe qeveria po mundohen të bllokojnë prokurorinë speciale dhe duan ta fusin atë nën tutelën e qeverisë, duke e nxjerr Presidentin jashtë loje.
Kjo ka shkaktuar protesta masive të vazhdueshme nga ana e popullatës dhe shoqërisë civile, reagime të ashpra pati dhe nga Komisioni dhe Parlamenti Europian, dhe një qëndrim të pa lëkundur të Presidentit në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit. Puna ka mbërritur keq fare tani, pasi PSD ka mundur të fusë nën tutelën e saj shumë institucione si policinë, shërbime sekrete, gazetën zyrtare, median dhe Gjykatën Kushtetuese, e cila po krijon kushte për të ndryshuar ligjet në favorin e tyre. Ministri i drejtësisë propozoi këto ditë shkarkimin e shefes së prokurorisë speciale. Këshilli i Suprem i Magjistraturës (CSM) nuk e aprovoi dhe Presidenti u prononcua kundër. Madje, sot erdhi nënkryetari i Komisionit të BE-së për ta penguar këtë veprim. PSD-ALDE nga ana e tyre po përgatiten ta pezullojnë presidentin për shkelje të kushtetutës. Kuptohet që do mundohen shumë ta gjejnë këtë shkelje, por ata janë të vendosur, pasi e shohin se dera e burgut po i afrohet dy kryetarëve të parlamentit.
Në këtë situatë ballanca po anon nga dy partitë e korruptuara që kanë zaptuar parlamentin dhe qeverinë. Hap mbas hapi ato po i ndryshojnë ligjet duke përfituar nga boshllëqet e lëna me qëllim në kushtetutë dhe në ligje. Kjo punë si përfundim do eleminojë ndarjen e pushteteve dhe për pasojë sanksionimin e Rumanisë, bllokime fondesh dhe mund të shkojë deri në përjashtimin e saj nga BE-ja.
Këtë do dhe Putin, i cili po financon fuqishëm në median rumune dhe ka blerë mjaft formues informal të opinionit dhe udhëheqës organizatash OJQ, pa llogaritur veprimtarinë subversive të agjenturave sekrete.
Pra, në kuadrin gjeopolitik Rumania po e humb orientimin e saj pro perëndimor dhe po ndjek shembullin e Polonisë dhe Hungarisë, së fundi dhe të Çekisë apo Sllovakisë. Duke qenë një vend kufitar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, si dhe duke qenë anëtare e NATO-s me dy baza amerikane, konflikti i saj i brendshëm politik po kthehet në një konflikt të jashtëm, karakteristik për periudhën e luftës së ftohtë. Kjo luftë për zona influence po merr përmasa rajonale, kontinentale dhe globale.
Problemi bëhet kritik për popullin rumun nga ana ekonomike, pasi qeveria ndjek një politikë populiste duke e orientuar drejt një ekonomie të konsumit, që ka bllokuar komplet investimet. Si rezultat, janë rritur çmimet, inflacioni, janë rritur rrogat e buxhetarëve dhe fondi i pensioneve po mbulohet me borxhe të jashtme. Kjo politikë po e afron me shpejtësi krizën, si në rastin e Greqisë. Rumania ka nevojë si ajri për 60 miliardat e eurove nga fondet europiane, por në këtë situatë shanset janë që të mbetet pa to, ndërkohë që paratë e bankave të huaja huadhënëse sa vjen e bëhen më të shtrenjta. Rumania tashmë i humbi garancitë dhe ka hyrë në kategorinë e vëndeve të pasigurta nga ana financiare dhe politike.
Nga njëra anë është presioni i protestave të vazhdueshme në rrugë, presioni i prokurorisë speciale dhe bllokimi nga ana e Presidentit (aq sa ia lejon ligji ta bëjë këtë), plus presioni i BE-së, që ligjet dhe ndarja e pushteteve të mos preken. Nga ana tjetër perspektiva e burgut po e tërbon klasën e koruptuar, u janë errur sytë. Ata për të ruajtur pozitat, pushtetin, pasuritë e vjedhura, janë në gjendje ta hedhin vendin në humnerë. Flasin për grusht shteti, për shtet paralel, qajnë për të drejtat e njerëzve të korruptuar, për dinjitetin e prekur të të pandehurve dhe të dënuarve për korrupsion. Nuk u intereson papunësia, niveli i ulët i jetës, varfëria, migracioni i lartë, premtojnë djathtas dhe majtas fushë me lule dhe bëjnë të kundërtën, rrisin rrogat dhe privilegjet e tyre, njëkohësisht rrisin taksat për popullin.
Kuptohet që rasti i demokracisë në Rumani, megjithatë është larg asaj në Shqipëri, ku s’kemi kurfarë demokracie. Shqipëria është republikë parlamentare, pra mazhoranca ka në dorë qeverinë dhe Presidentin, për gjyqësorin s’ke çfarë të diskutosh. PS-ja i ka në dorë të tre pushtetet, prandaj e vërtit si t’i teket. Kush mund t’ia mbajë dorën Ramës së gjithpushtetshëm? Shqipëria përveç ambalazhit propagandistik, thelbin e ka diktaturë perverse.
Një biznesmen rumuno-amerikan shumë aktiv në facebook, poston përditë statuse që fillojn me slloganin “Furci şi topoare”, domethënë “sfurqe dhe sopata” si e vetmja zgjidhje. Pra, rekomandon revoltën popullore.
Bukuresht, 28.02.2018