Ish-ndihmës ministri në Ministrinë e Punëve të Bredshme, Gjoko Popovski është dënuar me 9 vite burg pasi në seancën e sotme u shpall fajtor për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Sipas gjykatëses, Dobrilla Kacarska, Popovski në kundërshtim me ligjin për shpallje publike, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e 300 makinave për nevojat e MPB-së.
Duke mos respektuar kriteret për ofertën më të lirë, Popovski ka blerë makina nga disa kompani, pavarësisht çmimit të ofruar.
Në muajin maj të vitit të kaluar, Popovski u dënua po ashtu me nëntë vjet burg, por në fund të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin dhe lëndën e ktheu për rigjykim, shkruajnë mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut.