Popullsia e vendit po tkurret me ritme më të shpejta se parashikimet, si rrjedhojë e rënies së lindshmërisë, por edhe rikthimit të ciklit të emigracionit.
Në fillim të vitit 2017, ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031.
Numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grupmoshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi.
Forca e punës do të vihet në alarm pas 10 vitesh për zëvendësim, teksa vendi nuk po përgatit as infrastrukturën ligjore për të moshuarit dhe politika shtesë për stimulimin e lindjeve dhe frenimin e emigracionit.
Ekspertët bëjnë thirrje për vëmendje, por struktura e re e qeverisë ka çorganizuar totalisht funksionet e kujdesit social.
As periudha otomane, as dy Luftërat Botërore dhe as 50 vitet e regjimit komunist nuk i sollën kaq dëme popullsisë së vendit sa tranzicioni i pas viteve 1990, i cili po vijon të përkeqësohet si në treguesit shifrorë, edhe në ata të vitalitetit, pasi shqiptarët po tkurren më shpejt se parashikimet.
Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.
Të gjitha këto ndikime kanë zhbalancuar forcën e punës, ku mosha deri në 45 vjeç ka pësuar rënie të shpejtë. Në një anketim që “Shteti web” bëri në vitin 2015 për trendet e punësimit gjeti se rreth 45% e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes OSHEE (punëdhënësi më i madh në vend) ishin mbi 50 vjeç.
Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotshëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike. Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit.
/monitor.al/