“Tuttomercatoweb” ka shpallur sot Igli Tare si drejtorin sportiv më të mirë të vitit në Itali. Drejtori i Lacios ka triumfuar në votim me një diferencë të thellë nga ndjekësit duke marrë 34,99% të votave.
Tare i kontaktuar nga “Tuttomercatoweb” është shprehur se suksesin ia dedikon trajnerit Simone Inzagi-t që e ka ndihmuar duke nxjerrë në pah potencialin e lojtarëve që ai ka afruar në skuadër.
“Pa të gjithë komponentët, është e pamundur të arrish një rezultat. Duhet t’i bëj komplimente stafit tim, pastaj me Simone Inzagin kemi fatin që jemi një grup i cili punon bashkë prej më shumë se 12 vitesh. Kemi luajtur bashkë, pastaj ai është rritur në sektorin e të rinjve dhe tani është në ekipin e parë. Ai përfaqëson vlerat e klubit, skuadra luan një futboll entuziazmues dhe meritat janë të gjitha të tijat”.