Lidhja e ngushtë e poetit Lasgush Poradeci me qenin e tij Cuci është një nga historitë më të bukura të jetës së tij. Në ditarin e poetit të liqenit të botuar pas vdekjes së tij janë gjetur dhe vargje kushtuar mikut të tij besnik.
“Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur. Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj.”
Poradeci ndoshta është nga të vetmit poetë shqiptarë që ka treguar kaq bukur dashurinë për kafshët, ndërsa shkrimtarët më të mëdhenj në botë u kanë shkruar poema ose janë frymëzuar nga kafshët e tyre. Historitë e lidhjeve të forta mes shkrimtarëve dhe kafshëve shtëpiake janë kaq të bukura. Ja disa prejt tyre;
Në kopshtin zoologjik të Lord Byron
Për Lord Byron-in thuhet se ka dashur shumë gra, por ai ishte gjithashtu i dashuruar pas kafshëve. Kur ishte student në Cambridge nuk e lejuan që të mbante qenin në kampus, kështu që ai mori një këlysh ari në dhomën e tij, pasi statuti i kampusit nuk parashikonte ndalimin e arinjve. Dhe kur ai e la shkollën, ariu shkoi bashkë me të në shtëpinë e tij. Mes kafshëve të tij shtëpiake kishte dhe kafshë të pazakonta. Mund të quhej fare mirë kopsht zoologjik; me një ujk, dhjetë kuaj, tre majmunë, pesë mace, një shqiponjë, një fajkua, një dhelpër, një sorrë, pula afrikane, pallonj dhe pata. Sigurisht, qentë ishin mes kafshëve të tij të preferuara. Në vitin 1808, qeni i tij i preferuar Boatswain (Kryemarinari) u sëmur nga tërbimi dhe pavarësisht këshillave të familjes dhe shërbëtorëve që të mos i afrohej se mund të rrezikonte veten, Byron u kujdes për të. Kur Boatswain ‘vdiq’, Byron e varrosi në pronën e tij dhe shkruajti poemën e famshme “Epitaf për një qen”, dy vargjet e fundit të së cilës janë shkruar në pllakën e varrit të qenit. “Për të kujtuar një mik, këta gurë qëndrojnë. Kurrë nuk kam njohur si ai dhe ai prehet këtu”.
Kafshët që frymëzuan Charles Dickens-in
Kafshët dhe veçanërisht qentë janë përshkruar shpesh në veprat e Dickens-it. Tek “Oliver Twist” përCharles Dickens Sike, ndërsa qeni Diogjen ishte qeni i Paulit dhe Florencës tek “Dombi dhe i Biri”. Qeni Jip (Xhip) është përshkruar gjithashtu tek “David Copperfield”. Të gjitha këto kafshë-personazhe janë frymëzuar nga kafshët që mbante vetë Dickens në shtëpinë e tij dhe ndonjëherë ai u vendoste atyre emrat e personazheve të librave të tij. Vajza e shkrimtarit thotë se ka kujtime të bukura nga babai i saj nga lidhja e tij me kafshët, por veçanërisht me qentë. Dickens-i kishte një qen të quajtur Of, të cilin e kishte fituar me një birrë, një qen roje që quhej Turk, si dhe një tjetër që quhej Linda, etj. Nga gjithë këta qen, Turk ishte ndër kafshët shtëpiake të preferuara të shkrimtarit. Gjithashtu, shkrimtari mbante dhe një tufë me mace dhe më e famshmja ndër to ishte një mace e bardhë, e quajtur Willamena, e cili lindi një duzinë me kotele. Njëra prej këtyre koteleve kur u rrit njihej nga shërbyesit si “shefi i maceve” dhe ishte e famshme, pasi i fikte shkrimtarit qiririn me të cilin ai lexonte natën.
Motrat Bronte
Emily Bronte kishte gjithashtu një lidhje të ngushtë me qentë, aq sa thuhet se ajo merrej më mirë vesh me kafshët sesa me njerëzit. Emily një herë ndërhyri mes një përleshjeje mes bolldogut të saj dhe një qeni tjetër, ndërkohë që disa burra po bënin sehir dhe po vinin baste, të cilët u shtangën kur panë një vajzë që po ndante luftën e qenve. Pas kësaj ngjarjeje ajo kaloi ditë të tëra duke mjekuar syrin e nxirë të Keeper-it. Ky qen e ndiqte Emily-n kudo, madje ofronte veten e tij si “stol’ që ajo të ulej mbi të e të pushonte. Besohet se Charlotte e përshkroi karakterin e tij tek “Shirley”, bazuar në marrëdhënien e Emily-së dhe Keeper-it
Vogëlushja e Mark Twain
Dashuria më e madhe e Mark Twain ishte macja e tij. Ai ka thënë se ka pasur të paktën 19 mace në familjen e tij, shumica e të cilave ishin ekzotike dhe me emra të çuditshëm si: Mëkat, Satana, Dembeli. Por macja më e famshme e Twain ishte Bambino (Vogëlushja). Kur gruaja e tij Olivia vdiq më 1904, Twain ishte shumë i pikëlluar dhe ishte vetëm Bambino e cila dukej se e ngushëllonte atë. Twain u mbyll në dhomën e vet dhe fëmijët e tij thonë se në ato raste kur ai shfaqte akoma shenja të Mark-ut të mëparshëm, ndodhte vetëm kur Bambino ishte aty. Megjithatë, Bambino u largua nga shtëpia një mbrëmje dhe i mërzitur se macja nuk po i kthehej, Twain nisi të nxirrte njoftime në New York Times në kërkim të maces së tij. Për tri ditë me radhë njujorkezët u përfshinë në historinë e maces së humbur të Twain. Për ta ngushëlluar shkrimtarin, shumë qytetarë të New York-ut dërguan macet e tyre në shtëpinë e tij, duke shpresuar se do ta bënin atë të ndihej më mirë derisa macja e tij të kthehej. Kur më në fund Bambino u kthye në shtëpi, Twain e rigjeti sërish veten dhe e mori veten nga vdekja e gruas. Një libër për fëmijë është shkruar për lidhjen e shkrimtarit me macen, që titullohet “Bambino dhe zoti Twain“. Twain ka shkruar dhe një novelë të shkurtër me titull “Rrëfenja e një qeni”.
Pinka e Virginia Woolf
Virginia Woolf krijoi një lidhje shumë të ngushtë me qenin e saj, Pinka. Pinka ishte një qen qimegjatëVirginia Woolf e veshgjatë; racë spanjolle, që iu dhurua nga mikja e dashur, Vita Sackville West në vitin 1926. Ishte dashuria e saj për Pinka-n që e frymëzoi Woolf-in të shkruante për një tjetër shkrimtare, e cila kishte një qen fort të dashur si i saji; poetja angleze Elizabeth Barrett Browning. Woolf shkroi biografinë e Barrett Browning përmes mendimeve dhe dashurisë së qenit. Kopertinën e ilustroi me foton e Pinka-s. Libri mund të mos jetë ndër veprat më serioze të Woolf-it, por në të trajtohet komunikimi i heshtur mes kafshëve dhe njeriut, diçka unike e parë në një këndvështrim modern. Woolf pasi “bisedonte” me Pink-an gjente frymëzim dhe ide për romanet e saj. Idetë më të mira për të shkruar novelat e saj i vinin teksa shëtiste me qenin e saj.
Një dalmat për Eugene O’Neill
Miku më i dashur i autorit ishte qeni i tij, Dalmat. Emri i plotë i qenit ishte Silverdene Emblem Eugene O’NeillO’Neill, por për t’i rënë shkurt ai i drejtohej gjithmonë me Blemie. Vizitorët thonë se O’Neill i lexonte qenit të tij poemat e William Butler Yeats. Qeni flinte në një krevat me jastëk me këllëf mëndafshi dhe mbante një kollare dhe veshje të dizenjuara nga Hermes. Kur Blemie ngordhi më 1940, ai u varros në varrezat e familjes dhe Sharlota refuzoi që në shtëpinë e tyre të hynte ndonjë qen tjetër. Kur qeni i tij e la, O’Neill shkroi elegjinë e famshme “The Last Will and Testament of Silverdene Emblem O’Neill” (Dëshira e fundit dhe testamenti i Silverdene Emblem O’Neill).
Macet e Ernest Hemingway
Macet Polydactl (mace që lindin me më shumë putra se normalisht) u bënë të famshme për shkak të Ernest Hemingway-t, i cili kishte në pronësi një mace të tillë. Hemingway-t iu dhurua macja e parë Polydactl, e quajtur Snowball (Top-dëbore) nga një kapiten anije dhe macja jetoi me të në shtëpinë e tij në Key West Florida. Detarët i donin shumë të tilla mace jo vetëm për t’iu larguar minjtë, por sepse ofronin dhe një shoqëri të mirë. Këto mace mendohet se u sillnin fat gjatë lundrimit. Kur Hemingway ndiq në vitin 1961, shtëpia e tij ishte e mbushur me mace, pasardhëse të Snowball. Sot shtëpia e tij është kthyer në muze dhe në të jetojnë rreth 40-50 mace. Atyre u është dhënë leje të bredhin të lira nëpër shtëpi dhe ndonjëherë janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorëve që vijnë të vizitojnë shtëpinë e Hemingway-t. Për macet e Hemingway-t ka një staf të tërë që kujdeset.
Sir Walter Scott
“Mjerimi i mbajtjes së një qeni është se vdesin kaq shpejt. Por, nëse ai do të jetë 15 vjet dhe pastaj të Walter Scottvdesë, çfarë do të ndodhë me mua”. Kështu u shpreh një herë për qentë, Sir Walter Scott, që për të treguar dashurinë e tij të madhe për këto kafshë, në hyrje të shtëpisë kishte një statujë qeni, e cila ishte gjëja e parë që shihnin mysafirët. Hamlet, Maida dhe Nimrod quheshin qentë e Sir Walter Scott. Shkrimtari anglez njihet si autor i “Rob Roy” apo i “The Lady of the Lake”, por gjithashtu njihet si një njeri që i donte shumë qentë. Thuhet se Scott kishte gjithmonë të paktën dy qen, që flinin pranë këmbëve të tij ose ecnin bashkë me të. Ai shpesh i fliste qenit të tij dhe i bënte atij pyetje njësoj sikur të ishte duke bërë një bashkëbisedim me një qenie njerëzore. Ai u fliste me shumë pasion miqve të tij për “bëmat” e Hamletit, që ai e quante “roja i kështjellës”, që ngacmonte delet e zonës.