Një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, çoi në një furtunë arrestesh sot, të urdhëruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Më herët sot u arrestuan në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, po ashtu u shpalli në kërkim një grua që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë veprime të thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.
Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Prangosja e tyre çoi për rrjedhojë dhe në pezullimin nga detyra
Sakaq bëhet e ditur se është pezulluar nga detyra dhe Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
gijotina.com/










