Ambasada amerikane ka reaguar përmes një postimi të shkurtër në Tëitter pas shkarkimit të Gledis Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ky reagim vjen si një “ngushëllim” për Nanon në një moment kur u pushua nga detyra pasi nuk kishte bërë mjaftueshëm.
“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara, si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhet në postim.
Gjatë paradites, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi largimin nga detyra të Nanos, duke ia lënë përkohësisht detyrën e drejtimit të Policisë, nëndrejtorit Tonin Vocaj.
Nga ana tjetër, Nano ka mbajtur më herët postin e Drejtorit të Antiterrorit. Në muajin gusht të vitit që shkoi, në emër të qeverisë Amerikane, ishte ambasadorja Yuri Kim që i dhe Nanos një certifikatë vlerësimi, pasi ka qenë në krye të disa operacioneve të suksesshme antiterrori.