Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në procesin e shembjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në zonën e Kombinatit.
Togat e zeza kanë shpallur të pafajshëm Aurel Boriçin dhe dy ish-zyrtarët e IMT, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi, pasi sipas Gjykatës, Prokuroria nuk arriti që të provojë akuzën ndaj të dyshuarve në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa janë dënuar me 9 muaj burg për falsifikim, Shyqyri Maloku, si dhe 6 muaj Aleksandra Mahmutllari, që sipas gjykatës konvertohet në “punë në interes publik”.
Hetimet kanë nisur për pallatin nr. 140, i shembur në janar 2020 me mjetet dhe fondet e Bashkisë së Tiranës, e që më pas u fut sërish në një tender publik bashkë me 14 ndërtesa të tjera të klasifikuara si të dëmtuara nga tërmeti.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, ky nuk është rasti i vetëm:,dyshohet se përveç pallatit nr. 140, edhe pesë ndërtesa të tjera janë përfshirë në tender dhe paguar për t’u shembur, ndonëse rezultonin të rrafshuara më herët.










