Aktorja dhe regjisorja Sesilia Plasari flet për sabotimin që Mirela Kumbaro i ka bërë kulturës, për pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës. Artistja shprehet e vendosur të mbështesë protestën, për teatrin dhe për demokracinë
Ndërsa qëndresa për moslejimin e shembjes dhe cenimit të truallit të Teatrit Kombëtar vazhdon, regjisorja dhe aktorja Sesilia Plasari rrëfen revoltimin e saj ndaj qeveritarëve për sjelljen karshi artistëve dhe “historinë e grabitjes së Teatrit Kombëtar”. Në këtë intervistë për “Shekullin” artistja e konsideron firmën e ministres së Kulturës si një goditje nën brez që i bëhet artit, qytetarisë dhe ligjit, si dhe flet për pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës. Për Plasarin, ultimatumi i kryeministrit për shembjen e teatrit ishte kurorëzimi i politikës së ndjekur nga ai për rrënimin e kulturës, artit dhe teatrit në veçanti. “Në vend që t’i prodhojë, t’i nxisë e frymëzojë, ai do t’i shkatërrojë vlerat e vërteta, ndoshta ato e bëjnë të vuajë”, shprehet artistja.
Zonja Plasari, si komentoni faktin që ministrja e Kulturës pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të artistëve për t’u takuar me të, ajo vetëm i ka shmangur?
Ju e quani ende Ministrja e Kulturës, por fatkeqësisht e vetmja lidhje që Mirela ka me kulturën tonë është tradhtia që i ka bërë. Jam shumë solidare me femrat, preferoj të heshtë kur është fjala për të komentuar një dështim të tyrin. Por Mirela nuk ka dështuar, ka tradhtuar. Ka sabotuar. Lidhjen me artistët, “takimin” me ta ajo e ka humbur prej kohësh, këtë nuk jam unë ajo që po e vë në dukje, po përsëris diçka që është thënë nuk e di se sa qindra herë. Po t’i mbledhësh artikujt e njerëzve të artit e të kulturës të indinjuar prej ministrimit të saj, bëhen disa vëllime librash. Mirela u bë mercenar, por jo për të mbrojtur padronen e vërtetë, atë që e paguante dhe që duhet ta frymëzonte: kulturën, këtë zonjë të rëndë, qytetarinë, shoqërinë civile, shqiptarinë, dinjitetin, njerëzoren.
(Kur flas për kulturën, jemi dakord, nuk e kam fjalën për lajle-lule, tee-shirt-e me logo e për fushqeta të shumëngjyrta që shkëlqejnë!) Jam edhe më e revoltuar për faktin se paraprakisht kisha besim tek ajo. Ndoshta ngaqë është femër dhe nënë, dhe nënat janë më të ndjeshme ndaj reputacionit dhe atdheut që u lënë fëmijëve. I shoh nënat që vijnë në protestat e përnatshme të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nganjëherë bashkë me fëmijët. Ato pikërisht këtë thonë, e bëjnë këtë luftë për t’iu lënë fëmijëve një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më pak të turpshme, si dhe krenarinë që nënat e tyre nuk u pajtuan me diktatin, korrupsionin, dhunën, grabitjen, mashtrimin, shkatërrimin. Ato nuk paguhen, nuk e kanë për detyrë, luftojnë jashtë orarit të punës dhe prej shumë muajsh janë të rraskapitura. Por kanë bukurinë e njeriut të lirë, me respekt për veten dhe me ndërgjegje të pastër.
Ndërsa Mirela Kumbaro, në dukje krenare dhe me pretendime, pranoi, ndër të tjera, të bëhet strumbullari i mullarit të pisllëqeve që përmban historia e grabitjes së Teatrit Kombëtar. Ajo pra do të mbetet në histori si ministrja e antikulturës, e vetmja që pati kohën e duhur për të vepruar dhe e përdori këtë për t’u përpjekur të shkatërrojë, të sabotojë. Firma e saj është, për kulturën, një goditje nën brez, për artin, monumentet, qytetarinë, historinë, ligjin, atij konstitucional, por edhe më tepër kundër atij njerëzor që e bën njeriun qenie të respektueshme ose të neveritshme. Si të mos e refuzojë pra, Mirela takimin me artistët? Çfarë mund të thotë më? Janë dy botë të kundërta! Me heshtjen e saj i hapi rrugën të veprojë të vetmit talent që ajo mbështeti gjatë mandateve: talentit prej mashtruesi të atij që parullat e protestës për mbrojtjen e teatrit e quajnë “Lali Plehëri”.
Fati i teatrit u bë me dije gati në formë urdhri: “Teatri do të shembet”. Ç’mund të thoni për mungesën e dialogut të kryeministrit me komunitetit e artistëve?
Komuniteti dhe të gjithë ata që e kanë ndjekur me vëmendje këtë çështje madhore (do desha të falënderoj e të përgëzoj gazetarët e ndershëm atdhetarë, që i kanë dhënë asaj vëmendje dhe hapësirë) e dinë shumë mirë se ç’kuptim kishte ai urdhër. Nënteksti i tij ishte i qartë: E mbrojtët sa e mbrojtët territorin tuaj, më penguat sa më penguat, tani ju ka ardhur fundi! Tani do bëhet siç them unë se tani unë i kam kapur të gjitha: postin e kryeministrit, atë të ministres së Kulturës, atë të kryebashkiakut, atë të çdo deputeti të partisë maxhoritare, kam kapur gjykatën kushtetuese, jam njësh me oligarkët më të cilët bëj planet që më do qejfi…
Madje ai e tha troç, koha i vdiq artistët e mëdhenj, ata që më pengonin, dhe tani kanë mbetur ata që nuk peshojnë, ata që s’janë artistë, që nuk i dëgjon njeri. Ultimatumi ishte një kurorëzim i politikës së ndjekur nga Edi Rama për rrënimin e kulturës, artit dhe të teatrit në veçanti, si shtylla mbajtëse të demokracisë. Në vend që t’i prodhojë, t’i nxisë e frymëzojë, ai do t’i shkatërrojë vlerat e vërteta, ndoshta ato e bëjnë të vuajë.
Komplekset ndaj vetes ja mvesh kulturës shqiptare, me siguri thotë, kur unë nuk vlej, këta të tjerët nuk vlejnë e nuk vlejnë! Më kujtohet shkatërrimi që i bëri me dorën e vet afreskut të punës së tij të diplomës në hyrjen e figurativit, në Institutin e Lartë të Arteve, ndërkohë që kolazhin e dritave të francezit, në hyrjen e kryeministrisë, e mbështjell me jorgan sa herë që bëhen protesta. Kemi të bëjmë me një sulltan, që e sheh Shqipërinë si pronën e vet dhe imponon zgjedhjet e veta. Sulltani nuk denjon të bëjë dialog, thjesht delegon ndonjë kameleon që “negocion” – fjalë kjo që nënkupton përpjekjen për një pazar të pistë e të paparë… me kujtesën historike kombëtare! (përveç pronës publike etj.)
Teatri Kombëtar është lënë në një gjendje të mjerueshme, mjafton ta krahasosh edhe me Teatrin Eksperimental. Sipas jush pse nuk janë marrë masa për përmirësimin e kushteve?
Rilindja Urbane nuk gjeti projekt më të mirë për teatrin përveçse t’i rrënojë godinën mëmë, ta shembë, ta dënojë, ta kastrojë, ta inferiorizojë! Duke dashur të ngrejë pikërisht në vend të saj një shtëpi të rrudhur artistësh puthadorë, Edi Rama kërkon në thelb ta shndërrojë teatrin, këtë “ereksion të fallusit universal” (Olivier Py) në një sex toys në duart e veta. Por ja që kjo “e ve e gjorë, mbretëreshë pa kurorë, faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, shpirt e zemër përvëluar, gjysm’ e vdekur”, ka bij që i dalin zot, bij të cilëve, si edhe kuksianëve, fallusi i kurajës dhe i lirisë, i ndershmërisë dhe i shqiptarisë nuk ju është atrofizuar.
Për këto qëllime nuk u vu një gozhdë në Teatrin Kombëtar. Sa për Teatrin Eksperimental, ai është shembull i mënyrës së shëmtuar partiake se si bëhen gjërat në vendin tonë. Por kjo është një çështje tjetër, që meriton artikuj më vete. “Rilindasit” vranë Teatrin e Komedisë sepse ai u krijua nga e djathta në fuqi, i vunë një emër Eksperimental, të pajustifikuar, se asnjë lloj eksperimenti nuk u bë e nuk mund të bëhej në të teatralisht, përkundrazi me godinën janë bërë plot. E për ta përforcuar edhe më mirë këtë akt dhunimi, i vunë dhe emrin e nderuar të Kujtim Spahivoglit! E kam njohur shumë mirë Kujtim Spahivoglin (më ka përgatitur për konkursin e Institutit të Lartë të Arteve) për të qenë e sigurt se ai do ish rrotulluar në varr të vet nga turpi që emri i tij ju bashkua këtij institucioni absurd, të drejtuar nga një njeri që Kujtimi do ta kishte marrë me fshesë për mungesën totale të kompetencës në punët e teatrit. Tetëmbëdhjetë vjet me radhë Edi Rama na e ka imponuar si kriter të ekzigjencës së vet!
Atij ja besoi Edi Rama rritjen në profesion të aktorëve dhe aktoreve të reja, në Teatrin e Metropolit, dhe tani s’ka turp e i përgojon ata si të padenjë! Mjafton të përmendësh këtë fakt, midis të tjerësh, dhe e kupton se ç’ka dashur t’i bëjë Edi Rama teatrit, se sa ja ka dashur të mirën. Teatri Eksperimental është një karikaturë në miniaturë e asaj që Edi Rama bën me Shqipërinë, drejtuesi i tij shemb mure, bën zgëqe, krijon salla si kutia shkrepësesh që mbeten të pambaruara, ku fryn tufani e bie shiu brenda, prish arkitekturën ekzistuese të së tërës, shet qen dhe ble këlyshë siç i kemi pas thënë, me çfarë parash? Me çfarë të drejte? Me lejen e kujt? Me aprovimin e ç’arkitekti? Pse kështu funksionon një shtet? Këto gjëra mund t’i bëjë njeriu në shtëpinë e vet, (edhe atje dhe duhet leje), jo në atë të shtetit. Apo tek ne, bëhesh drejtor, ke mbrojtjen e “atij të madhit” dhe bën çfarë të të thotë çmenduria?
Dhe aktorët janë të detyruar të bëjnë shfaqje në salla që s’janë salla po kotec të qehajajve të Ramës dhe duhet edhe të gëzohen që i kanë dhe të lavdërojnë ata që i sajuan! Të gjitha këto janë pjesë e rrumpallës e cila është një hileqari e një strategji cinike për t’i ç’personalizuar totalisht artistët, për t’i lënë në duart prej qehajajsh të drejtorucëve të teatrove që konkurrojnë me njëri-tjetrin kush e kush të shërbejë më mirë: njëri duke qenë në konfidenca të shembjes, duke ndihmuar për këtë e duke mos bërë asgjë për mirëmbajtjen e teatrit, tjetri duke vazhduar me kokën e vet masakrimin e godinës sipas qejfit, duke e ndarë në kubikë, si në mall të babës, gjë për të cilën, në një shtet normal duhej të kalonte para drejtësisë!
Me llaç e tulla, me para që se nga i gjen e se si i menaxhon nuk e di njeri, drejtuesi i Teatrit Eksperimental kërkon të përligjë ekzistencën e vet absurde nëpër poste drejtuese, për merita që vetëm familja Rama mund t’i shpjegojë. Meqë ma zutë në gojë Teatrin Eksperimental, ky është mendimi im. Nuk e marr atë për shembull, nuk pajtohem, nga e keqja, me ligjin e qehajajësisë dhe qehajajt, le ta bëjë këtë kush të dojë. Unë jam me një parullë të Francës së majit të vitit 1968 “Jini realistë, kërkoni të pamundurën!” Ndoshta kështu i afrohem më të mirës së mundshme.
TK është shpallur zonë me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që ministria e Kulturës dhe drejtori i këtij institucioni kanë planifikuar të jepen shfaqje në shtator në atë skenë. E shikoni këtë si një pakujdesi, apo?
E thashë edhe më lart, është një “pakujdesi” e organizuar, e qëllimtë, strategjike. Nuk i bëhet vonë njeriu, as për sigurinë e qytetarëve, as për atë të aktorëve, përndryshe do ishte ndaluar puna prej kohësh dhe do ishin bërë riparimet si në çdo vend të botës; është e thjeshtë kudo, përveçse në vende të korruptuara si yni ku rëndësi ka vetëm realizimi i planeve grabitqare të diktatorit dhe dhënia e një mësimi të mirë atyre që i ngrenë krye!
Si e shpjegoni ju gjithë këtë ngutje për të miratuar ligjin me procedurë “të përshpejtuar”?
Sapo i plotësuan fshehurazi të gjitha kushtet për t’ja bërë varrin teatrit, i mbyllën të gjitha hallkat e duhura nga ana ligjore, hap pas hapi, nuk pritën më. Sa më shpejt, aq më pak debat, një krim më shumë i hedhur tutje, i varrosur. Në përshpejtim e sipër njerëzit nuk kanë kohë të mbledhin mendjen, të kuptojnë se ç’bëhet, të gjejnë kurajën për të reaguar e kundërshtuar. Por njerëzve ju ka ardhur atje ku s’mban më! Ja lumsha teatrit që ju ka dhënë gojë e zë njerëzve, intelektualëve, profesorëve, gazetarëve, arkitektëve, juristëve, shkrimtarëve, inxhinierëve, pensionistëve, qytetarëve të thjeshtë, kujtdo që kërkon të bëhet aktor i fateve të veta, i fateve të qytetit e të Shqipërisë!
Dhe kjo vazhdon çdo natë në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar! Njerëzit nuk e dinë se televizionet kryesore bëjnë kinse nuk po ndodh asgjë, nuk ja përçojnë njerëzve pjesën më të bukur të asaj që po ndodh në Tiranë e në Shqipëri. Numri i njerëzve që e kërkojnë informacionin në rrjetet sociale, tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Lobi për Artin etj., nuk është shumë i lartë, por ai që do, gjen. Revolta ndaj “Rilindasve”, në përpjesëtim të drejtë me pritshmërinë, po sjell një frymë të re ndërgjegjësimi dhe demagogjisë së tyre i ka dalë era dhe boja.
Sesilia Plasari: Populli duhet të mësohet të reagojë, të imponohet!
Sipas ekspertëve të shtetit, teatri nuk mund të restaurohet, ndërsa nga ana tjetër arkitektët më të mirë të vendit si Maks Velo, Artan Raça, por edhe specialistë të tjerë janë kundër shembjes. A është ndër tjera një fyerje që i bëhet inteligjencës së elitës së arkitekturës në Shqipëri?
Do doja t’i lexoja këta ekspertë të shtetit, ku janë këto ekspertiza, kush i ka bërë? Çfarë thonë? Pse nuk i botoni ju gazetarët? Unë vetë i kam kërkuar ato publikisht në gazetën tuaj që në 19 mars, në një artikull me titull “Artistë, qytetarë, mbroni teatrin që duam!”. Deri tani nuk kemi parë gjë akoma! Por sigurisht, edhe sikur ato ekspertiza të ekzistonin, në këto kushte, me mënyrën se si po bëhen hapat, do kisha rezervat e mia: tek ne çfarë s’po bëhet nën diktat, e jo më një ekspertizë!
U besoj mijëra herë më shumë Maks Velos, Artan Raçës për profesionalizmin dhe integritetin e tyre moral dhe qytetar, si dhe 70 e ca arkitektëve të tjerë të pavarur – qoftë edhe vetëm për atdhetarinë që i ka shtyrë të ndërmarrin këtë gjest – që u ulën, e shkruan, e firmosën dhe ja dhanë mandatën e tyre diktatorit. A është fyerje që i bëhet inteligjencës së elitës së arkitekturës në Shqipëri? Është sigurisht një tentativë për fyerje por Edi Rama s’ka fuqi t’i fyejë këta njerëz, ai me mosllogaritjen e mendimit të tyre nxjerr haptas edhe më karabush dhe të korruptuar vetveten, fyen popullin që e ka votuar dhe ja bën atij më të lehtë të kuptojë që duhet të ngrihet dhe t’ja heqë timonin se po e çon ne greminë gjithë duke iu shtuar terren mafiozëve.
Shtypet mendimi, edhe kur bëhet fjalë për “babain” e arkitekturës siç është Maks Velo, pse është kaq e lehtë…?
Tek ne mbetjet e diktaturës së kaluar janë shumë të gjalla, ndonjë mea culpa, dënim ose mbajtje përgjegjësie nuk është bërë, ata që zgjidhen për të qenë shërbëtorët e kryeshërbëtorët e popullit nuk kanë pikën e frikës të bien në tentacionin e pushtetit absolut. Diktatura ngjiz servilizëm dhe frikë, me të cilat brezat që jetojnë aktualisht janë familjarizuar më shumë se me qëndresën dhe ushtrimin e vullnetit të lirë, kjo sigurisht ndihmon. Mendimi shtypet duke mos u përfillur, duke i akorduar më shumë rëndësi asaj që vendos dhespoti sesa asaj që mendon i urti e i dituri, shtypet duke mos u përcjellë tek të interesuarit nga padronë televizionesh që luajnë lojën e krimit, shtypet duke u manipuluar nga gazetarë të shitur, që punojnë për llogari të mashtrimit. Mbajtja në injorancë e popullit, është një pleh shumë i mirë për rritjen e bimës diktaturë.
Një artist komik francez gjenial, Pierre Desproges, thoshte se “demokracia është diktatura më e keqe, sepse është diktaturë e ushtruar nga shumica mbi pakicën”! Me këtë nuk dua të them se shumica tek ne ka votuar për hajdutllëqet që po i bëjnë, as për zhdukjen e memories historike, por populli duhet të mësohet të reagojë, të imponohet. Popujt që kanë një farë lloj demokracie të konsiderueshme e fitojnë çdo ditë atë, me vigjilencë dhe me përpjekje të mëdha. Protesta që vazhdon prej muajsh çdo ditë në orën 19 në sheshin e Teatrit Kombëtar është gjëja më e bukur e më e vlerë që më ka ndodhur të jetoj në Shqipëri, e ndjek besnikërisht prej muajsh. Ajo filloi si një rrëke që pak e nga pak u bë përrua e uroj të bëhet një lumë i madh! (Jo më kot unë zgjodha të lexoj atje para disa kohësh rrëfenjën “Lumi i Madh” të Mitrush Kutelit). Bibla thotë: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia i ka transformuar në të mira…” “Falë Edi Ramës jemi këtu”, u shpreh një natë një protestues.
Janë të shumtë artistët dhe intelektualët që po paralajmërojnë instalimin e një diktature. Nëse është kështu sipas jush ç’mund të bëhet për ta ndalur?
Paralajmërojnë… unë ujkun e shoh me të katër këmbët në vathë. Diktaturën e shoh qartas aktualisht, nuk e hamendësoj për një të ardhme. Meqë flasim për ujk e për vathë, ne si popull nuk duhet të sillemi si bagëti e të marrim ujkun për bari. Duhet të sillemi si njerëz me ndërgjegje, të informohemi për ç’bëhet, të reagojmë, të manifestojmë vullnetin tonë, t’i turremi ujkut për ta zbythur të gjithë bashkë. Unë për vete, ndonëse jetoj në Francë, ndonëse të sqarohesh, të shkruash, të sensibilizosh, të solidarizohesh në mënyrë aktive kërkon punë, kohë e mund, kam vendosur të mbështes protestën, për teatrin dhe për demokracinë. Të jesh njeri i lirë vetëm, kur atdheu dhe njerëzit e tutë dashur janë nën zgjedhë, nuk është lumturi. Mendoj se secili duhet ta bëjë këtë, është përgjegjësia dhe dinjiteti ynë ndaj vetes dhe Shqipërisë që ju lëmë të rinjve.
http://shekulli.com.al/sesilia-plasari-diktaturen-e-shoh-qartas-si-ujkun-ne-vathe/