Kundërshtarët e Ramës të pranojnë rezultatin e Referendumit
Servet Pëllumbi ka folur për zhvillimet më të fundit në PS, Sipas tij grupi I kundërshtarëve të Ramës deputetët Ben Blushi, Mimoza Hafizi e Petrit Ago po vijnë gjithnjë e duke u bërë më pakicë. Sipas tij ata duhet të pranojë rezultatin e referendumit nëse duan të qëndrojnë në Partinë Socialiste.
“Nuk pati absolutisht asnjë shkelje, për mendimin tim, sepse unë mora pjesë në votim, madje anëtarët e partisë rrinin në rresht për të votuar. Çdo gjë ishte e dokumentuar. Çdo anëtar paraqitej para komisionit me kartën e anëtarësisë, ishin listat dhe çdo gjë ishte shumë mirë e organizuar. Fletët e votimit, vendet e sekretimit, kabinat e votimit ishin të gjitha në rregull. Çdo gjë ishte normale, madje do të thosha e përkryer. Çdo pretendim i atyre apo i asaj pakice që ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më shumë pakicë për shkelje dhe për pavlefshmëri të referendumit, mua më duket se është jashtë çdo logjike dhe jashtë çdo realiteti”, tha ai. Duke folur në lidhje me nismën e Ben Blushit, i cili kërkonte zgjedhje në parti për kryetar të saj, Pëllumbi tha se “secili mund ta ruajë mendimin e tij, por në qoftë se do të qëndrojë në radhët e partisë, është i detyruar të njohë këtë rezultat”. Pyetjes nëse deputeti Blushi duhet të përjashtohet nga partia, profesori i socialistëve iu përgjigj: “Mund të përjashtohet ai? Unë nuk mendoj se duhet një përjashtim, aq më tepër kur secili e sheh veten të përjashtuar, përjashton veten pra. Nëse tjetri përjashton vetveten, nuk ka nevojë për përjashtim”.