Detaje të reja kanë dalë në dritë për 32-vjeçarin Lear Kurti, i cili humbi jetën pasi u shoqërua në komisariat mbrëmjen e djeshme. Kurti do të përballej së shpejti me gjykatën, për një çështje të vitit 2016. Gjykata e Apelit në Tiranë do të shqyrtonte një proces gjyqësor në ngarkim të Lear Kurtit me akuzën e falsifikimit të kartmonedhave të kryer në bashkëpunim.
Kurti ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2016, por vendimi u apelua nga prokuroria e Tiranës. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 25 tetor në Gjykatën e Apelit, por pas vdekjes së tij, ngjarja pritet të marrë një tjetër rrjedhë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnate kur Lear Kurti u ndalua nga patrulla e policisë në komisariatin nr.3, pranë “Don Boskos”. Kurti u shoqërua për në polici dhe në komisariat nisën problemet shëndetësore. Ai nisi të dridhej dhe policia nuk priti ambulancën por bëri shoqërimin e tij me makinë policie. Spitali i Traumës deklaron se i riu mbërriti i vdekur në spital duke ngjallur dyshimet se Kurti i ka “mbetur në dorë” policisë.