Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi për mediat pasi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se kjo prokurori është 100% në dispozicion të qeverisë.
“Agron Xhafaj është larguar nga Shqipëria dhe prokuroria po merret me kallëzimin e rremë të tij në vend që të merret me kapjen e grupit të strukturuar kriminal. Qeveria është e përfshirë në mbrojtjen e krimit, Prokuroria është 100% në dispozicion të qeverisë”, tha Salianji.
Ai gjithashtu deklaroi se PD disponon përgjime të tjera ku Agron Xhafaj implikohet në trafikimin e drogës.
“Ka një deklarim publik nga gazetari Jetmir Olldashi i cili më ka sjellë audiopërgjimin e publikuar por edhe pjesën tjetër ku duken persona të lidhur me krimin, me Xhafajn, bëjnë trafik kanabisi në mes të ditës. Në përgjimin që disponohet nga PD, shihet zëri i gazetarit, bashkëpunëtorit edhe trafikantit tjetër i cili është zari i Agron Xhafajt, ku i thotë mos më eja për 10 kg drogë, por për 100 kg e sipër”, tha deputeti demokrat.