Deputeti i PD, Ervin Salianji ka hedhur akuza në drejtim të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për lidhje sipas tij me trafikantin e drogës Edmond Bego, i dënuar në Itali për trafik droge.
Salianji ka publikuar disa dokumente të sistemit TIMS që sipas tij vërtetojnë se Balla ka udhëtuar me Edmond Begon në të njëjtën avion 18 herë jashtë vendit.
Sipas Salianjit, TIMS tregon se destinacionet kryesore të këtyre udhëtimeve kanë qenë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi, apo Mali i Zi.
Deklarata e plotë:
Qeveria në pakt me krimin, parlamenti i varur nga krimi, policia e drejtuar nga krimi dhe prokuroria nën urdhrat e krimit është realiteti që sheh sot çdo shqiptar.
Edi Rama, i vetmi Kryeministër në botë që për të mbrojtur krimin e organizuar, njoftoi dje ngritjen e Departamentit Antishpifje, duhet të ketë të qartë se nuk ka Department, prokurori e gjykatë, që mbulon lidhjen e tij, ministrave e deputetëve të tij, me eksponentët e krimit të organizuar.
Është fakt që Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste, ka lidhje me trafikantin e rrezikshëm ndërkombëtar të drogës, Edmond Bega, i dënuar me 21 vjet burg në Itali.
Është fakt që Taulant Balla, ende nuk ka dhënë sqarime se çfarë e lidh me trafikantin e rrezikshëm të drogës, si e krijoi miqësinë me të.
Është fakt që Taulant Balla nuk dha asnjë sqarim sesi miku i tij trafikant, nga anëtar i Bandën së Lushnjes, u shndërrua në një biznesmen të fuqishëm.
Është fakt që miku trafikant i Taulant Ballës ka përfituar të paktën 14 milion euro në 3 procedura prokurimi, leje e licence minerare, në zonën elektorale të Taulant Ballës, edhe pse ligji ndalon përfitimin e fondeve publike nga personat e dënuar për pjesëmarrje në krim të organizuar.
Sot Partia Demokratike do të paraqesë fakte të tjera që tregojnë lidhjen e fortë të numrit dy të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me trafikantin e rrezikshëm të drogës.
Është fakt që sipas të dhënave të siguruara nëpërmjet sistemit TIMS, që regjistron hyrjet dhe daljet e qytetërëve në pikat kufitare të Shqipërisë, rezulton se:
1) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit mbi 25 herë me trafikantin e drogës Edmond Bega.
2) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN.
3) Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qënë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi. Vetëm në Vjenë kanë udhëtuar bashkë plot 14 herë.
Është fakt që Taulanti nga Librazhdi, gjatë historikut të udhëtimeve, gjatë periudhës që qeverisë Edi Rama, ka përdorur plot 18 herë CHARTER-in për udhëtime jashtë Shqipërisë, ku nuk mungojnë edhe udhëtime me CHARTER nën shoqërinë e trafikantit të drogës Edmond Bega.
Shqiptarët duhet të dinë sot se një udhëtim me CHARTER, kushton minimalisht 30 mijë Euro. Pra janë minimalisht 600 mijë euro udhëtime me CHARTER, vetëm për 18 dalje jashtë vendit të numrit dy të Partisë Socialiste, Taulantit nga Librazhdi.
Është fakt se qytetarët shqiptarë, në shumicën dërrmuese të tyre, nuk sigurojnë dot ushqimin për fëmijët e tyre, nuk sigurojnë dot librit për shkollimin e fëmijëve.
Por Taulanti nga Librazhdi, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përdor CHARTER për udhëtime jashtë vendit, me vlerë minimalisht 600 mijë euro për 18 udhëtime.
Edi Rama, Taulant Balla dhe Departamenti i Shpifsëve në PS, duhet të japin sot sqarime:
• Ku i gjeti Taulant Balla paratë për udhëtimet me CHARTER plot 18 herë?
• A janë financuar udhëtimet e tij me CHARTER nga burime të paligjshme?
• Kush i ka paguar paratë për fluturimin me CHARTER të Taulant Ballës?
• Nëse i ka paguar vetë, cili është burimi i këtyre parave?
• Nëse i ka përfituar si dhuratë, kush është dhuruesi? A lejohet nga ligji përfitimi i dhuratave me këtë vlerë dhe a janë deklaruar ato në ILDKPKI?
Këtyre pyetjeve Edi Rama dhe Taulant Balla nuk iu shpëtojnë dot.
Ata mund të ndjehen sot të sigurtë përkohësisht sepse kontrollojnë gjykatat e prokurorinë. Ata sot mund të bërtasin “shpifje” sepse nuk ka kush i heton dhe dënon.
Ata mund të përdorin veglat e tyre në prokurori për të shantazhuar qytetarët, opozitën dhe gazetarët.
Por fundi i tyre është i afërt.
Dita ku drejtësia për to do të behet, nuk është e largët.