Rreth 10 ditë pas tërmeteve të fuqishme me magnitudë 5.8 dhe 5.6 që goditën Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria ka vendosur sigurim të detyrueshëm 10-vjeçar për ndërtuesit. Duhej të ndodhnin tërmetet që qeveria të nxirrte një vendim të parashikuar nga ligji i 5 viteve më parë “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”( Nr. 107/2014, datë 31/07/2014).
Tërmeti ka “shkundur” ministritë dhe AMF për të ridraftuar vendimin që Këshilli i Ministrave e miratoi në mbledhjen e datës 2 tetor. Sipas VKM, “ndërtuesi, përpara dorëzimit të lejes së ndërtimit, duhet të kryejë dhe të dorëzojë kontratën e sigurimit të detyrueshëm për mbulimin e përgjegjësive civile dhe profesionale që rrjedhin nga gabime dhe neglizhenca që çojnë në mosrespektimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi, në zbatim të nenit 47, pika 2, të Ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
Sigurimi i detyrueshëm për ndërtesat, në fakt, ishte parashikuar sipas neneve 42 dhe 47 të Ligjit Nr. 107/2014, datë 31/07/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, por mbetet e paqartë se pse nuk ishte miratuar VKM përkatëse prej më shumë se 5 vitesh kur hyri në fuqi ligji.
Kryeministri Rama ka sqaruar mediat se “qeveria ka marrë vendim me impakt afatgjatë, parashikon masat detyruese për ndërtuesit, për zhvilluesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar me blerësit e apartamenteve, kontrata mbulon dëmet ndaj të tretëve që rrjedhin, ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndërtimi shembet -pjesërisht ose tërësisht, apo paraqet rrezik shembje”.
Kontrata 10-vjeçare me prime të rregulluara
Sipas VKM-së, ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10- (dhjetë) vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, në zbatim të pikës 9, të nenit 42, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës, ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda. Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.
Vendimi i qeverisë rregullon edhe tarifën vjetore të primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Pra, për një banesë që kushton 100 mijë euro, primi i sigurimit nuk mund të jetë më pak se 100 euro, duke vendosur në këtë mënyrë një çmim dysheme poshtë të cilit kompanitë e sigurimit nuk mund të ofrojnë policat e sigurimit.
Noterët, garantët e zbatimit të VKM
Vendimi i qeverisë ju jep një rol të rëndësishëm noterëve për të ndjekur zbatimin e detyrimit të lidhjes së kontratës së sigurimit që ndërtuesi/zhvilluesi/investitori duhet t’i dorëzojë blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës. Vendimi i qeverisë përcakton hallkën e fundit të regjistrimit në hipotekë, për të bllokuar transaksionet e ndërtesave pa policë sigurimi. “Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale”, përcaktohet në VKM.
Sipas VKM, “noterët lidhin kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqëruar me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve të kryer nga shitësi, në përputhje me pikën 9, të nenit 42, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, si dhe me ligjin nr.110 / 2018, “Për noterinë”.
Kërkesa për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme të kontratave të kalimit të pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve, të kryer nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori.
Roli i AMF, ministrive dhe kadastrës
Qeveria ka përfshirë edhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), një institucion i pavarur ligjërisht, në zbatimin e VKM. Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimit miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, pas marrjes së mendimit nga Ministria përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Ministria përgjegjëse për Financat. Gjithashtu, ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Si dështoi sigurimi vullnetar nga forcat e natyrës
Për paradoks të ngjarjeve natyrore që goditën Shqipërinë në fund të shtatorit 2019, të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po mendojnë gjithnjë e më pak për sigurimin vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës. Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare raporton se për 8 muajt e vitit 2019, primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ranë me 30%, duke përbërë 7.8% të totalit në sigurimin e jo jetës, nga 11.4% që ishte kjo peshë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi i ndërtesave zë një pjesë të vogël të industrisë së sigurimeve në Shqipëri dhe zbatohet kryesisht në rastet e vendosjes së tyre si kolateral për kredi nga bankat, ose në rastet e bizneseve të rrezikuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore si zjarret dhe tërmetet.
Shqiptarët, për 8 muaj, kanë shpenzuar rreth 824 milionë lekë (rreth 100 milionë lekë ose 1 milion dollar në muaj) për sigurimin vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe 329 milionë lekë, me një rënie prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Kjo rënie është reflektuar edhe ndaj totalit, ku nga 11.41% që zinte ky sigurim në totalin e primeve bruto të sigurimeve të jo-jetës në vitin 2018, ka zbritur në 7.85% për këtë vit.
Një trend edhe më negativ kanë ndjekur dëmet e paguara për periudhën janar-gusht për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës, me një rënie prej 53%, por sigurisht që shifrat do të përmbysen pas raportimeve të muajve shtator dhe tetor, kur do të paguhen dëmet e evidentuara.
Sigurimi nga katastrofat, projektligji 4 vite mbetet në sirtar
Diskutimet nëse sigurimet nga katastrofat do të jenë të detyrueshme apo vullnetare kanë filluar që nga viti 2011, kur Banka Botërore, në bashkëpunim me IFC, propozuan zhvillimin e sigurimeve përballë sfidave të reja përfshirë dhe sigurimin nga katastrofat. Në vitin 2014 ishte FMN që propozoi një program sigurimi kombëtar për tërmetet, për të gjithë ata që kanë një shtëpi, në përputhje me kërkesat e menaxhimit të riskut nga katastrofat.
“Në mënyrë që të adresohet impakti social dhe impakti fiskal nga katastrofat natyrore, ne rekomandojë vendosjen e një programi kombëtar të detyrueshëm për tërmetet. Përveç të qenët gjerësisht të ekspozuar ndaj tërmeteve, sigurimi nga tërmetet për shtëpitë është pothuajse inekzistent, duke lënë kështu pronarët e shtëpive dhe qeverinë financiarisht të prekshme nga katastrofat natyrore”, shprehej FMN.
Por debatet mes të qenët të detyrueshme apo vullnetare kanë kompleksuar edhe AMF, e cila në një sqarim të datës 2 tetor 2018, lidhur me sigurimin për pasuritë e patundshme apo fatkeqësitë natyrore shprehej se drafti teknik “Për sigurimin nga katastrofat”, është hartuar nga Banka Botërore dhe është depozituar në Autoritet, në tetor 2015. Materiali është pjesë e një nisme të Bankës Botërore, e cila përfshin edhe vende të tjera të rajonit, të cilat vitet e fundit janë prekur shpesh nga fatkeqësi natyrore, sidomos nga përmbytjet. Materiali teknik i sjellë nga ekspertët e Bankës Botërore është përcjellë edhe tek agjencitë e tjera shtetërore, që kanë objekt të punës së tyre ngjarjet nga fatkeqësitë natyrore.
AMF sqaronte se që prej fillimit të vitit 2016, nuk ka zhvillime të reja lidhur me këtë draft teknik dhe rekomandimet e dhëna nga ekspertët e Bankës Botërore. AMF thekson se çdo nismë ligjore që do të propozohet nga Autoriteti, do të bëhet në transparencë të plotë, me të gjithë grupet e interesit, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e të gjitha interesave të qytetarëve.
Kjo u theksua edhe në konferencën për shtyp të datës 26 shtator 2017, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Koçi. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, z. Koçi u shpreh për problematikat e lidhura me ngjarjet natyrore, si përmbytje apo tërmete, që kanë goditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, dhe theksoi se “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vendosim në ligj detyrimin nga qytetarët, sepse shërbimi duhet t’i përgjigjet nivelit të detyrimit, që duhet të paguajë çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas AMF në tetor 2018, aktualisht, Ligji nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” u jep mundësinë qytetarëve që të sigurohen nga zjarri dhe forcat e natyrës në mënyrë vullnetare. Por mbetet e paqartë si do të jetë qëndrimi i AMF-së pas tërmetit të shtatorit 2019, të cilat nxorën edhe një herë në pah domosdoshmërinë e rregullimeve ligjore për sigurimin nga katastrofat. Pas VKM për sigurimin e detyrueshëm të ndërtimeve, qeveria pritet të zgjedhë edhe qasjen që do të mbajë për sigurimin e detyrueshëm ose jo nga katastrofat.
/Monitor/