Nga Ilir Levonja
Sajmir Tahiri mund të jetë personi më i përmendur i 72 orëve të fundit. Më i lakuari dhe më i debatuari i gjindjes shqiptare. Një lloj shpërthimi vullkanik që ka eklipsuar çdo eveniment tjetër të botës shqiptare. Si panairet ndërkombëtare të librave ku merr pjesë Shqipëria, datëlindjet e burrave që ia lëruan nënën atij vendi si Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha. Deri përkujtimin e nënës Terezë si shenjtin e tyre. Ka eklipsuar vetë zotin e shqiptarëve Edi Ramën. Ekskursionet në Kosovë e malësinë e Gjakovës të liderit me pushime në Presidencë, Ilir Meta.
Çfarë qetësie ekzotike me stalaktide kristali. Ka eklipsuar bumin turk të telenovelave. Invazionin islam të mjekrrave dhe shamive. Eklipsoi ndeshjen me serbët dje në Korçë. Pikërisht me atë Partizanin ku na lidhin aq e aq kujtime. E eliminuan nga kupat e Europës dikur, goli legjendar i Sokol Kushtës. Partizanin e kohës kur luante me sulmues kryesor shqiptarin Fadil Vokrri, këtë që drejton sot federatën kosovare. Atë Partizan në stadiumin e të cilit hëngrëm stola kokës, sharje, fyerje. Por që fal atij incidenti me dronin e një shqiptari me pamje talebani, u bë e mundur të futemi në një kampionat europian etj. Mirëpo gjithçka është e mekur, e mbuluar me petkun Tahiri. Madje me vrullin e atij pasioni që na dallon si parja e kuqe midis sojeve dhe rracave njerëzore…, misonar të zhurmës dhe pordhëve të mëdha.
Sot çdo qelizë e jetës shqiptare frymon një emër, Sajmir Tahiri.
Në vend që Sajmir Tahiri të jetë atje ku e ka vendin një trafikant, një bashkëpunëtor i tyre, një shtetar i korruptuar, ai është studiove. Një trend shqiptar i fushatës për mbrojtjen dhe të drejtat e karteleve. E presin tek dera e televizioneve, pronarët dhe moderatorët e fjalës së lirë. Do ndajë eksperiencën se si kultivohet kanabisi, se si tregtohet. Se si mund të vësh 5 milionë euro menjanë për një javë. Një pompozim me shkëlqim të mbrëmjeve gala. E presin tek shtëpia misionarët e inateve perverse. Bashkëpunëtorët e kulturës së mikut dhe heronjëve të rremë. Një Shqipëri katrahurë ku gjithkush flet, gjithkush bërtet, gjithkush ka drejtë, veç ligji jo. Ligjit nuk i lejohet të ekzistojë. Ligji tek ne është mish i huaj. Kudo studio, reklama Tahiri. Gra që dhurojnë përqafime në delir shqiptar. Sa me shumicë i kemi, militantët. Dhe sa me pakicë qytetarët.
Ai eshte plot emocione e sakfricë njerëzore, gati të qajë…, tek përgjërohet për partinë. Të sakrifikohet. I detyrohet partisë. A nuk u qaravit kështu Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, Feçorri etj. Partia është uragan, na i mësoi Majakovski. Një fushë betajash, triumfesh, sakrificash, flijimesh, heronjsh të rremë. Një botë shkërdhatash me “ma fute, ta futa”. Ai është plot lot për partinë. Bënë një epokë së bashku. E filluan me def si çingijet, me urbanë lejla. Thirrën ku ishin e ku nuk ishin kontigjentin e drogës, prostitucionit, gjobëvënësit. Ku ishin e ku nuk ishin të fortët me para. Veç të rrëzonin Saliun. Shqiptarët këtë donin, jo mirëqënien e tyre. Eshtë në traditën tone që të vimë në pushtet për të mundur me inat njërën kastë, për të sunduar e pasuruar veten dhe militantin, jo për të ndrequr vendin, jo, jo… Bar hamë dhe dorën nuk e shtrijmë. Tani do themi, që drogë do thithim dhe kartelin nuk e lëshojmë. Ai është aty gati të qajë, i interpreton me patos skene aq sa auditori i mban ngrehur shamitë. Janë me atë, nuk kanë faj. Ia dhjeu Edi Rama. O burra me pankarta, dilni. Eja mblidhuni këtu-këtu. Rroftë Sajmiri.