Shtrëngimi i politikave monetare gjatë këtij viti nga bankat qendrore po kontribuon në mbylljen e epokës së borxheve me yield-e negative, duke reduktuar numrin global të obligacioneve me yield-e nën zero me plot 11 trilion dollarë. Çmimet e obligacioneve kanë rënë ndjeshëm këtë vit pasi bankat qendrore po ndërmarrin masa për t’i dhënë fund blerjeve në përmasa të mëdha të aseteve, si dhe për të rritur normat e interesit në betejën e tyre me inflacionin stratosferik, duke bërë që yield-et në shumë ekonomi të mëdha të arrijnë nivelet më të larta në vite.
Si rezultat i kësaj, obligacionet që aktualisht tregtohen me një yield më të ulët se zero, arrijnë vlerën 2.7 trilion dollarë, shifra më e ulët që nga viti 2015, e cila tregon një rënie të mprehtë nga vlera e obligacioneve prej më shumë se 14 trilion dollarë që tregtoheshin me yiled-e negative në mes të dhjetorit, sipas indeksit global të agreguar të obligacioneve nga Bloomberg – një matës i gjerë i tregut me të ardhura fikse. Zhdukja e plotë e yield-eve negative do të shënonte kthimin në normalitet për një gamë të gjerë investitorësh të mëdhenj.
“Bankat qendrore po përpiqen t’i bëjnë ballë kësaj goditjeje inflacioniste, kështu që tregu i bonove ka sjellë papritur një ndryshim të madh të normave të interesit”, tha Mike Riddell, menaxher i portofolit në Allianz Global Investors.
Yield-et negative dikur konsideroheshin të paimagjinueshme, më pas quheshin një risi e pazakontë dhe më vonë u pranuan si një tipar normal i tregjeve globale. Ato nënkuptojnë se çmimet për borxhin janë aq të larta dhe pagesat e interesit janë aq të ulëta, saqë investitorët do të humbasin para nëse i mbajnë obligacionet deri në maturitet. Ato pasqyrojnë besimin se bankat qendrore do t’i mbanin normat e interesit në nivele tepër të ulëta dhe janë rrënjosur në sasi të mëdha të borxhit në Japoni dhe në eurozonë gjatë viteve të fundit.
Ky vlerësim ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë muajve të fundit, veçanërisht në eurozonë, ku Banka Qendrore Europiane përsëriti të enjten planet për t’i dhënë fund programit të saj të blerjes së bonove këtë vit. Tregtarët e bonove besojnë se normat e interesit do të kthehen në shifrën zero për herë të parë që nga viti 2014 deri në dhjetor të këtij viti.
Sipas Riddell, fundi i yield-eve tepër të ulëta ose me norma negative është një “thikë me dy presa” për investitorët e obligacioneve. “Nga njëra anë, njerëzit po humbasin nga obligacionet që kanë. Por, nga ana tjetër, normat pozitive me risk të ulët nënkuptojnë se kthimet në të ardhmen ndoshta do të jenë më të mira.” Ai shtoi se ky do të ishte një “lajm i mirë” për investitorët e tillë si fondet e pensioneve, të cilët duhet të mbajnë sasi të mëdha asetesh të sigurta (për shembull, obligacionet qeveritare), por gjithashtu duhet të fitojnë kthime të mjaftueshme për të kryer pagesat në të ardhmen.
Zvogëlimi i stokut të borxhit me yield-e negative reflekton gjithashtu nivelet e larta të inflacionit, gjë që i ka shtyrë investitorët që të kërkojnë kompensime më të madha për rritjen e çmimeve, sipas Salman Ahmed, kreut global të studimeve makroekonomike në Fidelity International.
“Po, yield-et nominale po rriten, por investitorët në obligacionet afatgjata duhet të kujdesen më shumë për kthimet reale. Ajo që ka rëndësi është ҫfarë mbetet pas zbritjes së inflacionit, dhe duhet të kemi parasysh inflacioni tani është në norma shumë të larta,” tha ai.
Eurozona ka qenë shtytësi kryesor për reduktimin e tregtimit të borxhit me yield-e nën zero. Në dhjetor, blloku kishte më shumë se 7 trilion dollarë në obligacione të tilla, duke përfshirë të gjitha obligacionet e qeverisë gjermane. Kjo shifër tashmë ka rënë në vetëm 400 miliardë dollarë. Japonia, ku banka qendrore deri më tani i ka rezistuar zhvendosjes globale drejt shtrëngimit të politikave monetare, tani përbën më shumë se 80 për qind të bonove me yield-e negative në rang global.
Yield-et negative ka të ngjarë të shumëfishohen përsëri në eurozonë, në rast se BQE nuk rrit normat e interesit që janë vlerësuar tashmë nga tregjet. Banka qendrore do ta ketë të vështirë të rrisë normat në një masë të konsiderueshme nga niveli aktual prej minus 0.5 për qind, duke pasur parasysh kërcënimin për rimëkëmbjen e rajonit që vjen nga pushtimi rus i Ukrainës dhe nga rritja e çmimeve të energjisë që ka ardhur si rezultat i kësaj lufte, tha Ahmed.
“Unë mendoj se BQE-ja e ka humbur mundësinë për të normalizuar politikën e saj monetare, sepse goditja e rritjes ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë do të jetë shumë më e rëndë në Evropë,” shtoi ai. “Sipas këndvështrimit tonë, banka nuk do të kthehet te normat zero këtë vit, dhe kjo do të thotë se obligacionet me yield-e negative do të vazhdojnë edhe për disa kohë.”/ Financial Times