Ristani: Në komisione për të mbrojtur propozimet tona
Pas më shumë se 30 ditësh bojkot, anëtarët e opozitës do të rikthehen sot në Komisionet Parlamentare. Arben Ristani, sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ka konfirmuar lajmin se përfaqësuesit e opozitës do të jenë në komisione për të diskutuar çështje të propozuara prej tyre. Po ashtu sot opozita do të jetë pjesë edhe e debateve në Komisionin e Reformës Zgjedhore që zhvillon sot mbledhjen e tij dytë pas konstituimit. Rendi i ditës përfshin caktimin e grupit të ekspertëve dhe dërgimin e ftesës për institucionet ndërkombëtare për të asistuar në punën e Komisionit dhe grupit të ekspertëve. Komisioni bashkëdrejtohet nga socialisti Bashkim Fino dhe demokrati Oerd Bylykbashi.