Në vëmendje të “profesor” Panajot Barkës dhe akademikëve grekë, në lidhje me bashkëpunimin e grekëve me gjermanët. Po studiuesit grekë të sojit Barka mund ta vërtetojnë shkencërisht bashkëpunimin e çamëve me gjermanët? Nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim të çamëve me italianët dhe gjermanët, por grekët prej 73 vitesh vetëm kanë bërë akuza politike për të grabitur pronat çamëve dhe për të bërë spastrim etnik në Çamëri që nga viti 1913-1945.
Nga Arben Llalla
Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive, për herë të parë në historinë e re të Europës i ndodh një popullsie, që të përbuzet kaq rëndë.
Gjermanët u pritën me paqe dhe nderime nga politikanët, kisha greke dhe populli i saj. Pra, nazistët gjermanë mund të quhen me të drejtë pushtues paqësor të Greqisë. Me gjermanët bashkëpunuan mijëra grekë, vllehë, sllavo-maqedonas, bullgarë, romë, e të tjerë shtetas të Greqisë, por familjet e këtyre bashkëpunëtorëve nuk u dënuan asnjëherë, nuk ju sekuestrua pasuria. Madje, nga familjet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve dolën kryeministra, ministra, deputetë, figura të shquara të jetës shoqërore të Greqisë, të cilëve nuk u hyri asnjë gjëmb në këmbë.
Më poshtë do sjell fakte që bashkëpunëtorët e gjermanëve u bënë deputetë, ministra, kryeministra dhe kryetarë shteti të Greqisë të pas viteve 1945. Lista e politikanëve grekë që rrjedhin nga familje që kanë qenë bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore mund të jetë edhe më e madhe, por unë po sjell emrat e disave që janë botuar në gazetat, revistat dhe librat e autorëve grekë.
Bashkëpunim me gjermanët ka patur Jorgo Mërkuri, kryetari i Partisë Nacional Socialiste Greke, i cili është gjyshi i ish-ministres dhe deputetes së ndjerë Merlina Mërkuri.
Jorgo Simitis është babai i ish-kryeministrit të Greqisë Kosta Jorgos Simitis, 1996-2004, ministër 1985-1990. Jorgo Simitis gjatë kohës së pushtimit gjerman u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Bankave të Greqisë, një post i lartë shtetëror. Por, në vitin 1944, Jorgo Simitis duke nuhatur se gjermanët po e humbnin luftën ju bashkua në male grupeve të rezistencës. Ai, u akuzua për zhdukjen e 8.000 paundëve që kishin dërguar aleatët si ndihmë1.
Konstandin G. Karamanlis (1907-1998), ishte një nga politikanët e njohur të Greqisë. Sipas disa dokumentave të kohëve të fundit, del se ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik gjatë periudhës 1941-1945. Në dokumentin e CIA-as, 16 shtator 1962, thuhet se emri i Konstandin Karamanlis është i përfshirë në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve të Merten për përzënien e hebrenjve2.
Pas pak kohësh pritet të dalë në qarkullim libri i Mitch Fatouros, një greko-amerikan, i cili do sjellë të dhëna nga dokumentet e CIA-as, fotografi për bashkëpunimin e Konstandin Karamanlisit me pseudonimin “kryepeshkopi”.
Gjatë periudhës së pushtimit gjerman Konstandin Kramanlis shoqërohej me një femër të quajtur Lili Mak, me origjinë ruse, e cila ishte agjente e Gestapos. Në vitin 1942 italianët e arrestojnë Lili Mak dhe gjyqi e dënon me burg, por me ndërhyrjen e gjermanëve ajo u lirua. Në vitin 1946, Lili Mak, bashkë me nënën e saj Elenin dolën përpara gjykatës greke në Athinë me akuzën si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Ato u mbrojtën në gjyq nga avokati dhe deputeti Konstandin Karamanlis, i cili e fitoj gjyqin dhe nuk u dënuan3. Konstandin G. Karamanlisi që nga viti 1946 ka qenë deputet, ministër dhe katër herë kryeministër i Greqisë nga viti 1955-1963, 1974-1980. Në vitin 1980-1985, ishte Kryetar i Republikës Demokratike të Greqisë, gjithashtu edhe më 1990-1995 ishte Kryetar i Greqisë.
Konstandin Karamanlisi është xhaxhai i ish-kryetarit të Partisë Demokracia e Re, Kosta Aleksandër Karamanlis që ishte kryeministër më 2004-2009. Nga viti 1989 e deri më sot është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë.
Jorgo Joanis Rallis (1918-2006), është djali i kryeministrit të Greqisë 1943-1944, Joani Rallis, i cili ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe vdiq në burg. Jorgo Rallis në vitin 1950 u zgjodh deputet në Kuvendin e Greqisë. Ka qenë ministër në disa dikastere nga vitet 1950-1958, 1961-1963, 1967, 1974-1980. Në vitin 1980-1981, ishte kryetar i Partisë Demokracia e Re dhe kryeministër i Greqisë. Dha dorëheqje si deputet dhe u tërhoq nga jeta politike në vitin 1993.
Konstandinos Micotaqis është njeri nga politikanët e fortë të Greqisë. Micotaqi është nipi i ish-kryeministrit Elefteros Venizellos. Konstandin Micotaqi u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1946, më 2004 dha dorëheqjen si deputet dhe nga jeta politike. Ka qenë ministër disa herë 1965-1966, 1978-1981. Në vitin 1984 u zgjodh kryetar i Partisë Demokracia e Re dhe më 1990-1993 ishte kryeministër i Greqisë. Është babai i dy deputetëve Dora Bakojanis dhe Qiriako Micotaqis.
Gazeta greke “Avriani”4 e qershorit të vitit 1985, botoi një fotografi, ku shihet Konstandin Micotaqi në mes të dy ushtarëve gjermanë. Në vitin 1989 pas rënies së Murit të Berlinit, dy ish-agjentët e STASI-t të Gjermanisë Lindore deklaruan në një emision televiziv se kishin marrë porosi që të gjenin materiale, ku të vërtetohej bashkëpunimi i Micotaqit me nazistët gjermanë. Ata kishin gjetur fotografinë në fjalë dhe ua dhanë porositësve. Pas disa vitesh gazeta “Avriani”, botoi një shkrim, ku deklaronte se fotografia ku shihet Micotaqi me dy ushtarë gjermanë u a pati dhënë drejtuesi i lartë i PASOK-ut, Kosta Laliotis5.
Sido që të jetë e vërteta ka bashkëpunuar apo jo me gjermanët ish-kryeministri Micotaqi, as për gazetën “Avriani”, as për Laliotin që u përfol se e ka siguruar këtë foto dhe për asnjë individ që e botoi ndër vite, familja Micotaqi nuk ngriti padi penale për shpifje ndaj tyre. Kjo le të kuptosh se fotografia është autentike.
Kosta A. Karamanlis është djali i vëllait të Konstandin G. Karamanlisit, i cili është akuzuar kohëve të fundit si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ka patur të dashur në periudhën e pushtimit gjerman një agjentë të Gestapos, Lili Mak. Kosta Karamanlis, u zgjodh për herë të parë deputet më 1989 me Partinë Demokracia e Re. Në vitin 1997 u zgjodh kryetar i Demokracisë së Re dhe nga viti 2004-2009 ishte kryeministër i Greqisë. Vazhdon të jetë deputet i Partisë Demokracia e Re. Pra, Kosta Karamanlisi u përket atyre familjeve që kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë viteve 1941-1944.
Evangjelios Meimaraqis (1953-), ish-kryetar i Demokracisë së Re, ish-ministër 2006-2009, ish-kryetar i Kuvendit të Greqisë 2012-2015, deputet që nga viti 1989, rrjedh nga një familje që është akuzuar se ka përkrahur dhe bashkëpunuar me gjermanët në ishullin e Kretës. Familja Meimaraqis, për herë të parë nxorri deputet në vitin 1915, Vasileos Meimaraqis, i cili dënoi sulmet e kretasve kundër ushtrisë gjermane dhe përkrahu qeverinë e Jorgo Çolakoglu6. Gjyshi i tij me të njëjtin emër avokati Evangjelos Meimaraqis përkrahu ushtrinë gjermane dhe dënonte sulmet e guerrilasve kundër tyre. Gazeta “Akropoli”, e 4 qershorit e vitit 1941 shkruan për vizitën e Vasili Meimaraqit në kampin e trajtimit të oficerëve të qeverisë Çolakoglu, ku dënoi krimet e kretasve kundër gjermanëve.
Më 27 prill 1944, britanikët dhe forcat e rezistencës në Kretë, rrëmbyen gjeneralin gjerman Heinrich Kraipe. Emri i avokat Evangjelos Meimaraqis figuron në peticionin e intelektualëve të Kretës që dënonin sulmin dhe rrëmbimin e gjeneralit gjerman Kraipe7.
1 ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ, 13, qershor, 1945
2 www.kalami.net/2015/ellada/karamanlis-nazi-katadotis.html
3 www.aera2012.blogspot.gr/2015/11/blog-post_8.html
4 Δημοσθενησ Κουκουνασ, ΙΣΤΟΡΙΑ ΤΗΣ ΚΑΤΟΧΗΣ, Τομος Β, Athinë, 2013, fq.158
5 www.fimes.gr/2014/10/mitsotakis-nazi
6 ΕΛΕΥΘΕΡΟΝ ΒΗΜΑ, 5,qershor, 1941
7 ΚΡΗΤΙΚΟ ΚΗΡΥΚΑ, 30, prill, 1944