Këshilli të Lartë të Drejtësisë u shpreh se kryeministri dhe ministri i Brendshëm përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm.
Sipas KLD-së, ky reagim përbën një kërcënim të hapur ndaj gjyqësor dhe kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore.
“Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje. Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem”, thuhet në reagim.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kërkon Kryeministrit të vendit dhe funksionarëve të lartë që të ndalojnë menjëherë kërcënimet dhe presionin ndaj organeve të drejtësisë.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave”, thuhet në reagim.