Takimi një orësh u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit
Vetëm pak minuta para nisjes së axhendës zyrtare të komisionerit për zgjerimin Evropian, Johanes Hahn në Tiranë, kreu i qeverisë, Edi Rama është takuar për rreth një orë me kryeparlamentarin, Ilir Meta.
Takimi i mbajtur në Kryesinë e Kuvendit ka patur në fokus pikërisht këtë axhendë të komisionerit Hahn, i cili pritet tu japë një mesazh palëve për rinisjen e dialogut për Reformën në Drejtësi.
Opozita vijon qëndrimin e saj bojkotues të anëtarëve në komisionin e posaçëm parlamentar, me kushtin që mazhoranca të respektojë vendimet e Kushtueses edhe për deputetët e tjerë që janë akuzuar për përfitime të paligjshme të tenderëve. Ndërkohë që komisioneri do të bashkëkryesojë gjithashtu Dialogun e Nivelit të Lartë mbi përparësitë kyçe të reformave që do të ndiqet nga një konferencë për shtyp. Prej kohësh kreu i Ekzekutivit, Rama dhe Meta zhvillojnë takime pune, ku në fokus të diskutimeve ngelet axhenda politike e vendit, siç është dhe tema aktuale, reforma në drejtësi.