Skena e kryeministrit Edi Rama i cili u ngrit nga studioja në emisionin ‘Opinion’ sapo dëgjoi pyetjen për aferën e inceneratorëve, është komentuar nga Presidenti Ilir Meta. Meta vuri në dukje se me çështjen e inceneratorëve do të merret personalisht. Ai theksoi se këtë gjë do ta diskutojë me shoqërinë civile sepse kjo gjë nuk mund të tolerohet pasi sipas tij, edhe në Siçili me të tilla afera merrej mafia italiane.
“Me atë do merrem vetë unë, me inceneratorët do të merrem vetë. Do të ftoj shoqërinë civile për ta diskutuar, nuk mund të tolerohet. Çfarë ka bërë më shumë mafia në Itali që merrej me plehrat. Pres që të reagojë shoqëria civile, patjetër që do të merrem vetë, kur të bjerë shteti. Inceneratorët është përgjegjësi e qeverisë, e kryeministrit, e ministrave. Tani do të na paraqesë dy-tre raste me regji qendrore” – u shpreh Meta.