Nga Ilir Babaramo
Përpjekja për të kastruar lëvizjet studentore është një markë e njohur. Qorra të tillë politikë i kemi hasur dhe 28 vjet me parë. Janë vegla të regjimeve që po japin shpirt.
Lëvizjet e Ramës që përpiqet të sinkronizojë një grusht protestuesish me gjithë ekranet e blera prej tij ngjasojnë me veprimet e dëshpëruara të Ramiz Alisë.
Studentët i hoqën megafonin një pedagogu që perpiqej të tredhë lëvizjen studentore, një pedagogu që është shërbëtor i qeverisë, më shumë se sa ishte sekretari Rinisë Komuniste, Lisien Bashkurti 28 vjet më parë.
“Jo politikë, jo politikë!” çirren një grusht shërbëtorësh turmës me shpresen se do kompleksojnë lumin e protestës. Por, me çfarë mjetesh do t’i imponohen qeverisë nuk e thonë.
Tendenca përçarëse e tyre është e qartë. Strategjia e Ramës po shfaqet dita ditës.
Fillimisht, kërkoi një përfaqësi për të negociuar me synimin e qartë se do veprojë si tek Teatri, kur një grupi dërhemësh t’u vendosë nga një çmim personal dhe të sfumojë pjesën tjetër. Kjo nuk po i ecën me studentët. Atëherë, po përpiqet të minimizojë efektet e protestës.
Vë këta qorrat që të çirren: “Jo politikë!”. Në të njëjtën mënyrë veproi dhe Ramizi.
Fillimisht, nxori instruktorët e rinisë që thoshin: “Jemi për pluralizëm idesh, jo pluralizëm partiak!”. Nuk i eci. Në dhjetor studentët dolën në shesh. Sërish Ramizi me të vetët mes turmës predikonte krijimin e një shoqata studentore, jo krijimin e një partie opozitare. Sërish nuk i eci.
Studentët nuk kanë përse të kompleksohen nga politika. Në sistemin që jetojmë politika është i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve. Vetëm në monarkitë absolute të shekujve më parë subjektet dilnin për të kërkuar mëshirën e sovranit.