Ministrja Ekonomi paraqet një tjetër vizion për sektorin e turizmit
Qeveria shqiptare ka kërkuar nga donatorët dhe partnerët financiarë në vendin tonë mbështetje konkrete për të çuar përpara sektorin e turizmit dhe për ta bërë Shqipërinë një ndër atraksionet më të rëndësishme në Europë. Ministrja e Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ka zhvilluar një takim të posaçëm me donatorët, të cilëve u prezantoi një qasje me dy shtylla kryesore bashkëpunimi për të ardhmen. E para ka të të bëjë me kordinimin e ekspertizës lokale dhe ndërkombëtare në plotësimin e kornizës rregullatore të sektorit të turizmit, dhe konkretisht në plotësim të ligjit të turizmit. Sipas Ministres, këtu duhet të përfshihet edhe përgatitja e strategjisë së zhvillimit të turizmi, ndërsa ftoi donatorët që t’i bashkohen përpjekjeve të ministrisë për hartimin e këtij drafti, i cili është shumë i rëndësishëm për sektorin. Një tjetër çështje e trajtuar nga Ministrja Ekonomi ishte dhe ajo e “Tourism Satellite Account”, për matjen e ndikimit të turizmit në ekonominë e vendit. Si pjesë e shtyllës së dytë, Ministrja kërkoi që të shihej mundësia e mbështetjes së sektorit privat në turizëm, duke kërkuar që të ndihmohej me qendra të edukimit profesional, me aftësimin për aplikimin e standardeve të aktiviteve turistike, me incentiva fiskale dhe kredituese.