Pyetësori i supergratë.net: Fjolla Spanca

Duhet të lëçisni

Komiteti për Covid mblidhet nesër, paralajmërohen kufizime ekstreme

Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për media ka paralajmëruar se nesër Komiteti për vlerësim dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të...

Të bëheshe ministër dhe ti pështyje.. mu në zemër

Nga Anila Hoxha Janë 11 mijë policë në krye te detyrës. Paguhen keq. Me uniforma të dala boje dhe këpucë kartoni. Por ata vazhdojnë ne...

Aksident i trefishtë në Rinas, plagosen 6 persona, nisen me urgjencë drejt spitalit

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Fushë-Prezë mbrëmjen e sotme, ku janë përfshirë 3 automjete. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 shtetas me...

Çekia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme deri në 20 Nëntor, rastet janë në rënie

Parlamenti i Republikës Çeke, ka votuar sot vendimin për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme deri në datën 20 Nëntor. Ky vendim vjen pas shpalljes së...

Fjolla Spanca ka lindur në Mitrovicë ku edhe ka filluar punën që në moshën 12 vjeçe, fillimisht në asamblenë e fëmijëve e më vonë në organizata tjera kombëtare e ndërkombëtare. Veç kontributit përmes programesh e projektesh në Kosovën e paslu*ftës, herët ka publikuar artikuj që trajtojnë tema sociale, kulturore e politike në tri gjuhë si dhe poezi në revistat letrare të kohës. Studimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare i ka ndjekur me pasion të paepur sikurse specializimet e thuajse të njëjtës fushë në Stamboll e SHBA. Ka punuar si këshilltare politike kurse aktualisht punon si hulumtuese pranë QDKI-së dhe konsulente në projekt që ka për qëllim rritjen e çasjes së grave në tregun e punës.

Në vijim, Fjolla i është përgjigjur pyetësorit të supergratë.net

1. Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Njeriu tulatet mes andrres, friges e shpreses – të tana këto si shpalosje e asaj që fshihet mrena krahnorit! Rikthimi tek Fillimi doemos ashtë filli i çdo gjaje t’bukur e t’sertë që na përthekon. Sa herë vetpyetem në jam gati po me pase ardhë dakiku, bahem disi pishman që s’jam frigu, s’kam andrru e s’kam shpresu “tamam” … ama prap, paqtohem prej përkujtimit se Dashnia i tejkalon krejt dobësite e mia edhe kjo m’ban me u përpjekun edhe ma shumë.

2. Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Shumë kisha dashtë me ba’ aq sa kur të largohem mos me m’randue faji! Me ba, aq sa me u flladitun kur t’mos jem ma! Na jena krejt bashkë në këtë udhëtim, por edhe veçmas. Zaten, nuk vendosim dot se qysh të tjerët kanë me na majtë në mend apo në do na majnë në menje!

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan?

Njerëzit që unë i du janë ata me të cilët i grumbulloj troshat e bukës; i mbushim kovat me ujë andrrash t’mira edhe masi t’jena idhnu, pajtohemi pa u vonu! Njerëzit që i du fort dhe ata me të cilët nuk mrrijë me u afru janë Amanet! Pra, nuk ashtë e udhës tem me u përzie në rrugica të panjohuna. Mjafton me e ndjekun dritën e Hanës.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Krejt çfarë na kena ashtë nji Dhurate e bekume! Boll me u munu, me e ruejt veten e me u paqtu! Boll me e dijtë se shpirti i Njeriut ashtë Krijim i Përkryem! Prej këtu çelin Menimet e Nalta për veten dhe Tjetrin! Çelen penxhere prej të cilave kundrohet jeta ndryshe!

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? Nëse po, si?

Ajo çfarë na kena mrena, herët a vonë ka me e gjetë nji shteg për me lulzue edhe jashtë! Jetojmë në dite jo të kollajta. Me e ruejt veten prej ngacmimeve që vijnë nga nji botë shumë e ndrydhun dhe goxha e kompleksueme, s’ashtë hiç e lehtë! E megjithate, s’ka sfidë që të mos e rrisi njeriun në zemër – aty prej kah formësohen menimet të cilat ma vonë bahen veprime e punë të vyeme. Këtu për mu ashtë randesa … trupi ujitet bukur kur menimi e zemra janë n’harmoni!

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

Të qenunit Njeri – me zemër e me frymë! Njeri që Njeh dhe Falemnderon! Njeri që Fal edhe Paqton! Njeri që e mban Amanetin e kësaj Bote dhe sa herë rrëzohet, pla*gët i bahen melhem për me mjekue Mallin dhe Dashninë!

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethant ato që ia imponojnë këtë?

Na jena rritun tuj ngue se gratë e anëve tona janë ma të duruemet e ma të flijuemet … tanaj, me kalimin e moteve, tuj lëvizun e tuj pa nga pak, kupton se gjithanej gratë janë (ne ma të dëlirin kuptim) ajo “Ura” që lidhë e bashkon breza … kroni prej të cilit kullohen dertet a hjekat, hallet e brengat e familjes … dhe jo vetëm se janë gra, por sepse ato janë djep ku përkunden zemrat natyrshëm; djep ku pushojnë e rriten dashnitë … jo se burrat janë ma pak vetmohues. Jo se ata nuk flijohen. Zaten, janë gojëdhanat e deformueme ato që na kanë hutu dhe paditunia si shkak’ që jemi verbu.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Ma e madhja punë e nji gruaje ashtë me e kuptu se pse gjallnon mrena kësaj kohe, mu në këtë botë! Amësia duhet me kanë nji e Falun tepër e çmueme; përmes së cilës gruas i hapen porta të Tjera Lumnimi.

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

“Qendra” dhe “kufini” nuk mund të përcaktohen me nji të rame lapsi! Tek e mrama, shpija si fole – si pikënisje ashteë helbi i krejt familjes, prandaj matanë pragut të konakut “vizatohen” përmes ndërveprimit njerëzor shija dhe boja e çdo shoqnie! Ama, na e dijmë se kufini shpesh caktohet dhun*shem kurse qendra shpërfillet, kshtuqë gratë duhet me u vetkqyr përtej simbolikave të thata!

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Hadixheja, paqe pastë Shpirti i Saj i Naltë!

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Njeriu shpesh bahet peng i fjalëve.
Zemrat ndryshken për shkak të fjalëve.
Menjet vyshken pa fjalët. Na jena Fjalë që ecim … s’e di! Qofshim fjalë që nuk largojmë të Mirën!

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Prej kohesh, njerëzit gjykojnë shoqi-shoqin prej leckave. Tutem se aty ku zbehet drita e menjeve të sojshme për shkak të copave që qepen nga duart e vdekatareve, dro munet me u tretë edhe Mëshira.

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

Gurgullimën e ujit.

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Jo rrallë herë, gjykimet e shoqnisë janë aq të pa peshueme saqë ashtë zor me tregu se sa standarde përdoren kur flitet për çështjet gjinore. Shoqnia jonë priret për ta diskriminu secilin që u bahet se nuk ashtë në vijën e duhun me perceptimin a kornizën e thurun prej nji grushti njerzish, të cilën shpesh mund të jenë gabue keq. Kalitja me dituni e urtni, msimet prej sfidave mund të quhet si lehtësim në përballjen e vazhdueshme me realitetet e hidhuna ballkanase.Prej më shumë se 15 vitesh punoj pandalun në nji të tillë fushë, ndaj gjykoj se leximi, puna, programet konstruktive, rimëkëmbja ekonomike, përkrahja e grave dhe diskutimet e hapuna larg klisheve bajate mund të jenë grimca që ndezin shpresë! Aty ku gruaja trajtohet jo denjësisht, hup aroma e njerzimit.

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Sa i përket organizimit ideal, tashma e kanë thanë fjalën të ditunit mbi të! Me i pasë ndjekun modelet e parashtrueme, dro s’kishim me pasë derte kaq … gjithsesi, për me pasë role, i thonë se duhet me pasë teatër a shfaqje … pra, ngjarje kurolet marrin jetë/shfletohen … jeta për mu i kapërcen rolet… kushdo që e kupton thelbin e qëndrimit në këtë nënqiell, ka me e ba punen e vet si në familje, njiashtu edhe në shoqni!

16. Si ballafaqohesh me tundimet?

Tundimet janë shkundje të vazhdueshme dhe të pavullnetshme përmes se cilave përpiqem me e kuptue dobësinë dhe ligësinë tem! Shkëputja e hera – hershme prej asaj që më rrethon, vetmia e pateprume, qëndrimi pranë njerëzve që janë ma të mirë se çdo cohë e vetes si dhe kalitja e përultnisë janë disa prej ndihmesave që ma lehtësojnë përmenjen!

17. Si ballafaqohesh me pasiguritë dhe dyshimet mbi veten?

Pasiguria dhe dyshimi janë shoqnuese të paftueme … unë s’kam nji formulë a teori … ngjitem pas Kërkimit dhe pyes … pushoj së foluni dhe ndrynem në menim. Lyp nden faqe librash dhe prej përvojave që i kanë jetue të tjerët.

18. Çfarë është miqësia për ty?

Dhuratë. Begati. Përgjegjësi. Ose nji vazo porcelani e punueme me mjeshtri; e cila edhe nëse thyhet, sapo të ngjitet bahet edhe ma e bukur e ma e çmueme. Nji krahnor i gjanë që t’afron me Dashninë dhe t’shtyen me kërku veten ma t’mirë! Nji Amanet.

19. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

S’mund të jem ma e ditun se sa i TanëDituni që më ka sjellun mu tani. Thanë kshtu, nuk dehem në andrralla kohnash që as i kam njohun e as prekun.

20. Kush janë heronjtë e tu?

Nuk më ka pëlqy najherë fjala *hero* ama njerëzit që në mua ngjallin ndjesina të pashpjegueme; ndjesina falë se cilave zgjanohet krahnori edhe largohet hutimi, janë shumë. Njerëzit që ma kanë zbutun zemrën e ma kanë lehtsue dhimten e jetës, janë panumër.

Nana, mami, baba, motra.
Shoku i jetës.
I urti Ibrahim, Saimiri, Bilgini, Eduardi, Vali, Fatmiri, Mira, Bledi, Taxhudini, Ela, Xhaneri, Fatima, Ariedi, prof. Feriti, Loela. …. dhe shuuuumë emna të tjerë që rrokemi n’udhët e jetës.

21. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Edhe ky problem ashtë trajtu prej të ditunve dhe ekspertëve të fushes! Gjynah me tepru në dalldisje. Teprica ashtë thikë që t’parin e pret “pronarin”, sikurse shpërdorimi apo mania për me mbledhun atë që në kushte të tjera kish me u nda e me e zbutun dertin e bukës.

22. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

Trendi i momentit nuk dallon thuajse hiç prej mëkatit të parë, si filli i padrejtësive, pra: mendjemadhësia, inati, zilia e xhelozia.

23. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

Ashte kaq e sikletshme me e udhëhequn veten, e lene ma me u vendue në nji pozitë për të cilën kanë me të lypun llogari krejt fryma e kohës! Me mrrijtë njeriu me e drejtue egon e vet, zene se e ka sistemue nji shtet!

24. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Jeta ashtë ba për me na mrekullu, anise ashtë veç ndalesë/pushim nden hijet e nji rrapi. Krejt çka ka mrena e çka derdhet prej saj, ngjyhet me kuptim e urtni! 7 dit’netët e 7 palë qiellnat jane goxha nishane përmes së cilave derdhen misteret e pasosuna me kuptime t’nalta.

25. Si do të doje të vdisje?
Nji dasem – si fillim i pakryem Jete! Me emnin e Atij që ma fali shpirtin dhe ngat a ngat me ata që e kanë kultivue përultnine.

26. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Dua edhe kisha dashtë me pasë aq zemër, mend e frymë sa me e shpluhunos harresën, me e flladitë zemrën edhe mos me prek gja prej atyne që s’janë të mijat e as me u tundu prej atyne që më largojnë nga Pafundsia.

27. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

Nji ditë, shqiptaret kanë me u ba njerëz, ma t’mirë!

28. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Janë do andrra që pëshpëriten n’heshtje t’vetmueme, aq pa za sa mos me u ndje as prej pulitjes së synit! Këto andrra janë lutje që kurrë s’pushojnë së dashunuemi me u ba “përnijmend” … tej menimit, unë e Dashunoj me çdo copëzë shpirti atë Takim! U baftë siç do AI! /supergrate.net/

Më shumë shkrime

E Freskët taze

Komiteti për Covid mblidhet nesër, paralajmërohen kufizime ekstreme

Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për media ka paralajmëruar se nesër Komiteti për vlerësim dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të...

Të bëheshe ministër dhe ti pështyje.. mu në zemër

Nga Anila Hoxha Janë 11 mijë policë në krye te detyrës. Paguhen keq. Me uniforma të dala boje dhe këpucë kartoni. Por ata vazhdojnë ne...

Aksident i trefishtë në Rinas, plagosen 6 persona, nisen me urgjencë drejt spitalit

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Fushë-Prezë mbrëmjen e sotme, ku janë përfshirë 3 automjete. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 shtetas me...

Çekia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme deri në 20 Nëntor, rastet janë në rënie

Parlamenti i Republikës Çeke, ka votuar sot vendimin për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme deri në datën 20 Nëntor. Ky vendim vjen pas shpalljes së...

Specialisti: Mos u afroni në brigje, pritet një tjetër cunami! Prefekti i Izmirit: Shteti është në këmbë

Pas situatës së krijuar nga tërmeti i fuqishëm ne Turqi, Presfekti i Izmirti deklaroi se qytetarët duhet të bashkëpunojnë për menaxhimin e kësaj situate...