Nga Klaudeta Skënderasi
Në mënyrë krejt demonstrative, në një moment aspak të rastësishëm, por pikërisht në 15-vjetorin e “News 24”, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, jo vetëm që e mori krah vetes, por i kushtoi dhe një status mbështetës Tedi Blushit, gazetarit që vetëm pak ditë më parë e kishin përzënë nga posti i tij si kryeredaktor në Balkanweb, pa respektuar asnjë rregull, pa i deklaruar asnjë shkak zyrtarisht e madje siç e shkroi dhe vetë ai, duke e kërcënuar se do ta nxirrnin me dhunë nga redaksia, nëse nuk do të bindej të largohej. “Për lirinë dhe pavarësinë e medias. Duke uruar 15-vjetorin e “Neës 24”, bashkë me zëdhënësin e Presidencës, Tedi Blushi, gazetar prej më shumë se një dekade pranë kësaj media”,- shkroi Meta atë ditë në FB e tij, duke i ridhënë kështu dinjitetin e merituar gazetarit Blushi.
Nervi që padiskutim e ka mbërthyer Blushin ditën që e përzunë, duhet t’i jetë shkrirë si bora në pranverë. Me buzëqeshjen e tij, ai duket sikur u thotë ish-shefave e ish-pronarëve të tij: Rrofshi që më hoqët. Apo shqiptarçe fare “10 herë faleminderit që më punësuat, 100 herë faleminderit që më pushuat”.
S’është aspak çudi ta ketë nëpërdhëmbur dhe Marina Vjollca këtë frazë, pasi Top Channel e nxori jashtë loje duke mos i ofruar më asnjë emision këtë fillim sezoni televiziv, ndërsa Tv Klani e rrëmbeu duke e vendosur në pozicionin e prima donnës me një spektakël të madh, që po nis enkas për të. Promo e “C’est la vie”, ku ajo i gjuan fort me jastëk ekranit ku po jepet një emision sportiv (kujtojmë që në Top Channel ajo prezantonte një të tillë) s’është veçse demostrim i kënaqësisë për ofertën shumë më të mirë që i ofruan në tabakanë e argjendtë.
E përzënë pothuajse dhunshëm, afro një vit e gjysmë më parë, pikërisht në natën e spektaklit, vetëm një javë para finales së “The Voice of Albania 5”, ish-autorja Zefina Hasani nuk ka pasur kohë as të mëzitej tamam, sepse menjëherë i propozuan t’i rikthehej fuqishëm gazetarisë duke rihapur revistën “Mapo” me dy intervista shumë të rëndësishme me Ramën e Metën, që bënë xhiron e gjithë portaleve. Vetëm se zgjati shumë pak ky rikthim. Dikush tjetër kishte plane për Zefinën. Le Spot Group (një nga agjencitë e marketingut e komunikimit më të mëdha në Tiranë) e rrëmbeu menjëherë, duke e emëruar drejtoreshë e Komunikimit, një pozicion ky aq i rëndësishëm, sa Zefina të ndihet tashmë krejt e qetë në zgjedhjen që bëri, për të ruajtur parimet dhe integritetin e saj, duke iu dukur një ide shumë e mirë plani i universit për t’i dhuruar një pushim nga puna.
Siç mund të thuhet sot edhe për Rudina Xhungën, gazetaren që ishte e pjesë e Top Channel që në ditët e para. Emisioni i saj “Shqip”, ndër më të vjetrit i ekraneve shqiptare, do të pushonte së eksiztuari pas 13 vitesh. pikërisht kur pritej të fillonte sezoni i ri, Rudinës iu komunikua se “Shqip” thjeshte nuk do të bëhej më. Por siç u shpreh edhe vetë Xhunga, kur të mbyllet një derë, të hapët një dritare dhe asaj iu hap menjëherë, në Vizion Plus, ku riktheu “Dritaren”, që para 17 vitesh është transmetuar në TVSH si ndër të parët emisione politike. Dhe pas emisionit, edhe një portal me të njëjtin emër, dritare.net e rilindën Rudinën. Ndoshta vërtet i duhej ajo lëvizje, dy “Dritaret” i dhanë frymëmarrje figurës së saj.
Një derë i është mbyllur para ca vitesh edhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, kur punonte si drejtor në Ministrinë e Integrimit, që drejtohej nga Arenca Trashani, e cila i dhuroi një pushim të papritur nga puna. Fiks kështu, i dhuroi. Sepse menjëherë më pas, Ditmiri konsideroi ofertën e Edi Ramës për t’u marrë seriozisht me politikë, aq seriozisht sa tani drejton prej katër vitesh Ministrinë e Jashtme.
Epo kot nuk thonë pas çdo të keqe vjen një e mirë!
/Tiranapost/