Nga Çapajev Gjokutaj
Më bëjnë përshtypje fotografitë e moçme. Njerëzit shfaqen shumë seriozë, të zymtë dhe gati-gati hakërryes.
Ashtu duhet të ketë qenë dhe jeta, i them vetes. Me pak gëzime dhe shumë mungesa e mundime.
Thellë-thellë ndruaj se ky arsyetim nuk qendron. Sado e vështirë të jetë jeta, njeriu nuk ia del dot pa çaste gëzimi, buzëqeshjeje, relaksimi.
Përse kur ndodheshin para fotografit, të parët tanë prireshin të mos pozonin çaste të tilla? Për më tepër se fotot bëheshin shumë rrallë, shpesh edhe një herë gjatë gjithë jetës.
Dhe ajo pamje, që fiksonte një çast të vetëm, i ndiqte gjithë jetën, madje edhe në pasvdekje, për t’u thënë pasardhësve: ky ishte filani. Pse duhet të mbeteshin në kujtesë të zymtë, të trembur dhe hakërryes?
Mbase i trembte aparati fotografik, gjë e rrallë dhe enigmatike. Para tij ndiheshin si përpara të huajit, përpara autoritetit, zyrtares, ndaj duhej të ishin seriozë, pse jo edhe të ndruajtur e të frikësuar.
Këto shpjegime më kënaqin një çast, por zbehen e zhbëhen kur kujtoj se para një shekulli jeta ka qenë shumë më e varfër dhe më e ashpër se sa sot.
Mos e shkel, he të shitofshin zanat!, mallkonte malësori i Migjenit. E derdha a m’u derdhtë gjaku!, mallkonte veten malësorja e jugut. Dhe këto mallkime fatale bëheshin për ca kokrra misri, a për ca pika vajguri.
Varfëria ekstreme ngrinte në apoteozë materialen dhe sakrifikonte gëzimin. Përpiqej ta bënte jetën të zymtë e pa ngjyra si një foto bardhë e zi, të krisur e të zverdhur nga koha.
Do blej një çikë farmak e pastaj do mblidhem në gërmadhë, thoshte gjirokastriti. Farmaku ishte buka, gërmadha – shtëpia.
Ku po shkon a i vrarë? Ç’po bën, o derëzi? Ç’thua kështu, a i shuar? Bëj kujdes, o rrënjëdalë!
Janë trajta që përdorte labi për t’iu drejtuar tjetrit, për të komunikuar me të, për t’i shprehur afri e solidaritet.
Të gjitha këto më kujtoheshin gjatë ndërrimit të viteve, kur urimi ‘gëzuar’ shërbente si fjalë kyç e gjithë ligjërimit festiv.
Varfëria dhe padrejtësitë janë me shumicë edhe në jetën e sotme. Për to do folur e bërë shumë e përditë.
Por po kaq e rëndësishme është mbase të mbajmë ndezur pishtarët e gëzimit dhe të shpresës.
Se jeta bëhet më humane kur e flasim në gjithë ngjyrat e saj. Se monotonia dhe tonet e muzgëta riprodhojnë veten dhe gjenerojnë pasivitet e depresion.