Media shtetërore iraniane raporton se të paktën 35 njerëz janë vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran, që po organizohen pas vdekjes së 22-vjeçares, e cila u arrestua nga Policia e moralit për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.
“Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona”, tha agjencia e lajmeve Borna, e cila është e lidhur me ministrinë e Sportit të Iranit, vonë më 23 shtator, duke cituar televizionin shtetëror.
Numri zyrtar i të vdekurve kishte arritur më parë në 17, përfshirë pesë zyrtarë policorë.
Protestuesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë ditë rresht, që nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.
Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë “të pahijshme”.
Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.
Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran.