Pavlin Cupi 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë është arrestuar nga policia e Korçës mëngjesin e sotëm. Burime bëjnë me dije se Cupi është personi i dytë i arrestuar gjatë dy fazave të operacionit, ku faza e parë u finalizua 6 muaj më parë.
Arrestimi i të riut u bë në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që Pavlin Cupi drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.
Cupi pritet të përballet me akuzën për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.