Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit, në përmbyllje të vizitës së tij disaditore në Kosovë.
“Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë në këtë vizitë: nderimin, vlerësimin, mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për vëllezërit dhe motrat tona, pata edhe një kënaqësi të veçantë në secilin takim, në Prishtinë, në Gjilan, Drenas, Prekaz, Deçan, Gjakovë, por edhe sot në Prizren, kurorën e diamantit të historisë shqiptare për ne shqiptarët. Ka qenë një pritje përtej çdo përmase që mund ta përshkruash, sepse sado i talentuar të jetë kushdo do ta kishte vështirë ta përshkruante. Unë e kam ndier dhe do ta mbaj brenda gjithë jetës”, tha Nishani.
Në fjalën e tij, presidenti Nishani reagoi kundër dhunimit të ish-gazetares, Arbana Xharra, të cilin e quajti akt të rëndë dhe burracak.
Nishani përmbylli vizitën e tij të fundit në Kosovë, ku që prej së enjtes u takua me udhëheqësit shtetërore dhe nderoi të rënët e luftës së fundit, si dhe bëri homazhe në varrin e presidentit Ibrahim Rugova.