Finalizohet në Tiranë, operacioni policor i koduar “Përpjekje e dështuar”: arrestohen 3 shtetas, 1 tjetër shpallet në kërkim. Sekuestrohen 435.2 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë dhe valutë në euro dhe lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në rrugë operative, dispononte informacion se shtetasit Blendi Peca, Arbër Murati dhe Ardit Murati, qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e Don Boskos.
Më datë 01.08.2017, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka organizuar operacionin “Përpjekje e dështuar” për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve.
Shtetasi Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip “Citroen”, në zonën e Don Boskos”. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shënja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin “Policia”, por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë.
Në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për tu larguar.
Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi B.P, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 385 gramë. Duke qënë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Arbër Murati, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e peshës 50.2 gramë, 10 doza pluhuri të dyshuara të llojit kokainë, ngjyrë e bardhë, një dorezë metalike, një sasi vlere monetare në valutë prej 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, të cilat u sekuestruan.
Për pasojë u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit : – Blendi Peca, 27 vjeç, banues në Tiranë. – Ardit Murati, 24 vjeç, dhe Shehat Murati, 50 vjeç, banues në Tiranë ( at dhe bir). U shpall në kërkim shtetasi : – A. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, i biri i Shehatit.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale : – 435.2 gramë kokainë. – 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja. – mjeti tip ” Citroen”. – peshore elektronike. – dorezë metalike. Veprimet procduriale u monitoruan nga SHÇBA dhe Prokurori i gatshëm. U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve B.P., A.M., dhe Sh.M.,për veprat penale ” Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Mosbindje e urdhërit të punonjësit të policisë”, “Përdorim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 283/2, 242, 236 dhe 279 të Kodit penal, ndërsa për shtetasin A.M., për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikëve e kryer në bashkëpunim”, neni 283/2 i Kodit Penal.