Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur paraditen e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Siç shihet edhe në pamje, Karçanaj ka hyrë e vetme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Gjykata e Lartë mori vendimin për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. E hetuar nga Prokuroria e Posaçme për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë, Karçanaj po hetohet në një gjendje të lirë.
Hetimet e SPAK për tenderat e AKSHI-t
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit Agasi. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.
Po ashtu është dhënë masë pezullimi nga detyra dhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. SPAK gjithsej ka vendosur në masë sigurie 8 persona që janë Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta.
Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme prej gati një viti po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje. Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.








